KreuAktualitetKronikëKujdes nga telefonatat e rreme të “IT Support”/ AKSK paralajmëron pas problemeve...

Kujdes nga telefonatat e rreme të “IT Support”/ AKSK paralajmëron pas problemeve me Microsoft

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar përdoruesit për rrezikun e mashtrimeve online, pas problemeve të raportuara mbrëmjen e djeshme me aksesin dhe funksionimin e disa shërbimeve të Microsoft, përfshirë Outlook, Teams dhe Azure.

Sipas informacionit të raportuar nga kompania Microsoft, ndërprerjet në disa rajone janë shkaktuar nga ngarkesa e lartë në infrastrukturën e saj dhe nuk lidhen me një incident kibernetik. AKSK bën me dije se po ndjek situatën dhe do të informojë për çdo zhvillim të mëtejshëm.

Megjithatë, autoriteti paralajmëron se problemet me shërbimet mund të shfrytëzohen nga persona keqdashës për të mashtruar përdoruesit, duke u ofruar ndihmë të rreme për rikthimin e aksesit në llogaritë e tyre.

Në fokus të paralajmërimit janë emailet që kërkojnë rivendosjen e fjalëkalimit të Microsoft, SMS-të që pretendojnë se llogaria është bllokuar dhe kërkojnë veprime të menjëhershme, si dhe telefonatat nga persona që prezantohen si pjesë e shërbimit të asistencës teknike.

AKSK u bën thirrje përdoruesve të mos klikojnë lidhje të dyshimta për hyrjen në llogari apo ndryshimin e fjalëkalimeve, por të përdorin vetëm faqet dhe aplikacionet zyrtare. Po ashtu, këshillon që të mos ndajnë fjalëkalime, kode verifikimi apo të dhëna konfidenciale dhe të mos lejojnë persona të paverifikuar të kenë akses në pajisjet e tyre.

Për institucionet dhe kompanitë, autoriteti rekomandon që çdo kërkesë për ndërhyrje teknike të verifikohet përmes stafit IT. Gjithashtu, u kërkon të informojnë punonjësit për rrezikun e këtyre mashtrimeve dhe të kontrollojnë masat për vazhdimësinë e punës, përfshirë aksesin në kopjet rezervë të dokumenteve të rëndësishme dhe përdorimin e kanaleve alternative të komunikimit.

Paralajmërimi vjen në një kohë kur ndërprerjet e shërbimeve digjitale mund të krijojnë terren për tentativa mashtrimi, ku përdoruesit shënjestrohen përmes mesazheve që shfrytëzojnë shqetësimin për humbjen e aksesit në llogaritë e tyre.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat