Në seancën e kësaj të marte në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku po shqyrtohet çështja penale ndaj Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë, mbrojtja e Ajola Xoxa ka kërkuar pezullimin e procesit gjyqësor, duke argumentuar se ajo nuk mund të jetë e pranishme për shkak të gjendjes shëndetësore pas lindjes.
Sipas avokatëve mbrojtës, Xoxa ka sjellë në jetë fëmijën e saj më 29 qershor me operacion cezarian dhe, në përputhje me legjislacionin në fuqi, gëzon të drejtën e lejes së lindjes prej 63 ditësh. Për këtë arsye, ata kërkuan që shqyrtimi gjyqësor të pezullohet deri në përfundim të kësaj periudhe.
Në një deklaratë të lexuar në sallën e gjyqit nga avokati i saj, Ajola Xoxa shprehet se dëshiron të jetë personalisht e pranishme në proces dhe kërkon pezullimin e shqyrtimit deri në përfundimin e lejes së lindjes.
“Unë kërkoj të jem vetë e pranishme dhe kërkoj pezullimin e shqyrtimit deri sa të përfundoj lejen prej 63 ditësh që ma garanton ligji”, thuhet në deklaratën e saj.
Nga ana tjetër, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e kundërshtoi kërkesën, duke argumentuar se Kodi i Procedurës Penale nuk parashikon pezullimin e gjykimit për shkak të lejes së lindjes.
Përfaqësuesi i SPAK theksoi gjithashtu se procesi gjyqësor ka nisur prej muajit shtator dhe se Ajola Xoxa nuk ka qenë e pranishme në asnjë prej seancave të zhvilluara deri më tani. Sipas organit të akuzës, nëse gjykata e vlerëson të nevojshme, mund të shqyrtohet ndarja e çështjes së saj nga ajo e të pandehurve të tjerë, në mënyrë që procesi të vijojë.
Mbrojtja e Xoxës kundërshtoi edhe këtë alternativë, duke argumentuar se ligji lejon pezullimin e gjykimit edhe në raste të tjera, si kur i pandehuri ka probleme shëndetësore ose kur pritet administrimi i provave të rëndësishme. Sipas avokatëve, edhe gjendja e një nëne që ka lindur me operacion cezarian përbën një rrethanë objektive që justifikon shtyrjen e procesit.
Avokati Maks Haxhia sqaroi se kërkesa e mbrojtjes është pezullimi i të gjithë procesit gjyqësor deri në përfundimin e lejes së lindjes së Ajola Xoxës.
Pas dëgjimit të palëve, trupi gjykues u tërhoq në Dhomën e Këshillimit për të shqyrtuar kërkesën e paraqitur nga mbrojtja dhe për të vendosur nëse procesi do të pezullohet, do të shtyhet apo do të vijojë me ndarjen e çështjes së Ajola Xoxës nga të pandehurit e tjerë.
GJKKO ka rrëzuar kërkesen për pezullim të procesit.
Seanca e radhës do të mbahet më 21 korrik, ora 10:00.



