KreuAktualitetPolitika“Kujt i shërbyem kur mbronim Shqipërinë?"/ Akuza e fortë pas deklaratave të...

“Kujt i shërbyem kur mbronim Shqipërinë?”/ Akuza e fortë pas deklaratave të Kryeministrit

Një deklaratë e Kryeministrit Edi Rama në podkastin e tij të fundit ka shkaktuar reagime të forta në radhët e mbrojtësve të trashëgimisë kulturore dhe mjedisit. Duke komentuar protestat kundër ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura, Kryeministri deklaroi se qeveria e tij ka si lajtmotiv ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe se kritikët duhet të kenë kujdes të mos bëhen “instrumente në duart e interesave të tjera”.

Kjo deklaratë ka sjellë reagimin e një prej emrave më të njohur të trashëgimisë kulturore shqiptare, me mbi tre dekada angazhim në mbrojtjen e monumenteve, kërkimeve arkeologjike dhe projekteve ndërkombëtare nën kujdesin e UNESCO-s.

“Kam kaluar më shumë se 30 vjet duke mbrojtur trashëgiminë kulturore shqiptare. Kam punuar në Butrint, në projekte ndërkombëtare arkeologjike dhe në misione të UNESCO-s. Sot më del se mund të kem qenë vegël e interesave të padukshme”, shprehet ai me ironi.

Sipas tij, logjika e re politike po vendos në bankën e të akuzuarit çdo qytetar që ngre pyetje për mënyrën se si trajtohen pasuritë kombëtare.

Në reagimin e tij ai ndalet veçanërisht te Përmeti, ku ka fotografuar një ndërtesë të re të Qendrës së Informacionit Turistik, të ngritur pranë Gurit të Qytetit dhe brenda hapësirës së shkollës së mesme “Sami Frashëri”.

Sipas kritikëve, objekti i ka marrë nxënësve një pjesë të oborrit të shkollës për t’i hapur vend një godine që aktualisht qëndron pothuajse pa funksion. Ata ngrenë pyetjen nëse një investim i tillë ishte i nevojshëm në një kohë kur informacioni turistik gjendet lehtësisht përmes telefonave inteligjentë.

“Prindërit që pyesin pse u është zvogëluar oborri fëmijëve të tyre, interesat e kujt mbrojnë? Banorët që kundërshtojnë ndërtime pranë zonave të mbrojtura, kujt po i shërbejnë?” – pyet autori.

Në përfundim, ai thekson se debati nuk është mes qytetarëve dhe shtetit, por mes realitetit që shohin përditë qytetarët dhe propagandës politike që, sipas tij, përpiqet ta mbulojë atë. Reagimi mbyllet me një mesazh të drejtpërdrejtë: “Kush lexon, le të gjykojë vetë mes realitetit dhe propagandës.”

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat