KreuAktualitetPolitikaArben Malaj sulmon Ramën/ "Po nxit urrejtjen politike mes shqiptarëve për të...

Arben Malaj sulmon Ramën/ “Po nxit urrejtjen politike mes shqiptarëve për të mbijetuar”

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka reaguar në rrjetet sociale duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor një gjuhë përçarëse dhe po nxit urrejtjen politike mes shqiptarëve për interesa politike.

Në postimin e tij, Malaj shprehet se Rama po rikthen referenca historike të pavërteta dhe retorikë që lidhet me ndarjet e së kaluarës, me qëllim mbijetesën politike. Ai citon ish-kryeministrin britanik Winston Churchill, duke theksuar se fokusi duhet të jetë tek e ardhmja dhe jo tek konfliktet e së shkuarës.

“Churchilli këshillonte se nuk fokusohem tek e kaluara sepse nuk dua të humbas të ardhmen. Rama provokon me referenca të pavërteta të vitit 1943 ose 63 vite më parë”, shkruan Malaj.

Sipas tij, asnjë politikan, aq më tepër një kryetar partie, kryeministër apo kryetar parlamenti, nuk duhet të përdorë gjuhë që ushqen urrejtje brenda popullit të vet.

Malaj ndalet te reagimi i Ramës ndaj deputetit Agron Shehaj, lidhur me incidentin e ndodhur në Kuvend për dokumentin e klasifikuar të marrëveshjes ushtarake Shqipëri-SHBA. Ai kritikon krahasimin e bërë nga kryeministri, i cili e ka cilësuar veprimin e Shehajt si të ngjashëm me “ballistët që futeshin në kotecin e pulave dhe vidhnin pulat”.

Sipas Malajt, ky është një reagim që tregon panik politik dhe përpjekje për të rikthyer retorikën e ndarjeve ideologjike të së kaluarës.

“Ky është një qëndrim i një politikani në panik. Rama beson se shqiptarët janë të gjithë të majtë, ndaj i kthehet retorikës së luftës. Kjo nxit rritjen e agresivitetit politik në vend, të cilin e provokojnë vetëm politikanët e dështuar”, shprehet ai.

Ish-ministri përmend edhe atë që e cilëson si rastin e dytë të përdorimit të gjuhës së urrejtjes nga kryeministri, duke iu referuar etiketimeve si “agjent rus”, “agjent iranian”, si dhe përdorimit të termave “pula” dhe “sorra” ndaj protestuesve.

Malaj i cilëson protestuesit si paqësorë dhe atdhetarë, ndërsa apelon për një reagim më të gjerë qytetar për të ndalur, sipas tij, gjuhën përçarëse në politikën shqiptare.

“Duhet masivizim për ta ndalur këtë gjuhë flakëhedhëse të urrejtjes midis shqiptarëve”, shkruan ai.

Në përfundim të reagimit të tij, Arben Malaj deklaron se fati politik i Edi Ramës është përcaktuar nga vetë veprimet e tij, duke e akuzuar kryeministrin për kriminalizimin e ekonomisë dhe politikës shqiptare.

Reagimi i Malajt vjen në një moment tensionesh të larta politike, pas debateve të fundit në Kuvend dhe deklaratave të forta të kryeministrit lidhur me opozitën dhe protestat e zhvilluara në vend.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat