Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër ndaj deputetit Agron Shehaj lidhur me incidentin e ndodhur në Kuvend gjatë shqyrtimit të marrëveshjes ushtarake mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e akuzuar atë për shkelje të protokolleve të sigurisë dhe marrje të paligjshme të një dokumenti të klasifikuar.
Përmes një reagimi publik, Braçe e cilësoi marrëveshjen ushtarake Shqipëri-SHBA si më të rëndësishmen në këtë fushë në 114 vitet e shtetit shqiptar, duke theksuar se ajo pasqyron nivelin e lartë të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.
Sipas deputetit socialist, veprimi i Agron Shehajt për të marrë dokumentin sekret përbën një shkelje të rëndë të protokolleve të ruajtjes së dokumenteve të klasifikuara. Ai theksoi se deputetët kanë të drejtë të njihen me përmbajtjen e dokumenteve të tilla, por jo t’i disponojnë, kopjojnë apo fotografojnë ato.
“Akti i sotëm në Kuvend, në shkelje të protokollit të ruajtjes së një dokumenti të klasifikuar, është krim. Banaliteti i një deputeti nuk e relativizon si krim dhe as e bën të tolerueshëm”, u shpreh Braçe.
Deputeti socialist reagoi edhe ndaj komenteve dhe sulmeve të shumta në rrjetet sociale ndaj nëpunëses publike të Kuvendit, e cila ishte përgjegjëse për ruajtjen e dokumentit. Ai i cilësoi këto sulme si një tjetër shkelje të rëndë, duke pretenduar se ato kanë burim vetë deputetin Shehaj.
Braçe akuzoi gjithashtu Shehajn se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nëpunëses së Kuvendit gjatë incidentit, duke deklaruar se deputeti e ka shtyrë dhe goditur me bërryl për t’u larguar me dokumentin, ndërsa nuk i ka ofruar ndihmë pasi ajo është rrëzuar në shkallë.
“Urrejtja online ndaj një nëpunëseje publike është një tjetër krim. Deputeti që e ka shkaktuar këtë situatë zotëron një armë urrejtjeje për sulm ndaj kujtdo dhe për mbrojtje të vetes së tij. Ai fillimisht e shtyn dhe e godet me bërryl për t’i ikur, ndërsa nuk kthehet t’i japë ndihmë kur ajo bie nga shkallët”, deklaroi Braçe.
Në reagimin e tij, deputeti socialist kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet ngjarja në opinionin publik, duke theksuar se vëmendja është përqendruar te pamjet filmike dhe jo te aktet që ai i konsideron të paligjshme dhe të papranueshme nga ana e një deputeti të Kuvendit.
Debati mes palëve vjen pas miratimit në Kuvend të marrëveshjes ushtarake mes Shqipërisë dhe SHBA-së, e cila u votua nga shumica socialiste dhe ka nxitur polemika të forta politike lidhur me trajtimin e dokumenteve të klasifikuara dhe procedurat e sigurisë në institucionin e Kuvendit.



