KreuAktualitetKronikëNga alkooli te celulari/ Ashpërsohen dënimet për shoferët

Nga alkooli te celulari/ Ashpërsohen dënimet për shoferët

Projektndryshimet në Kodin Rrugor parashikojnë masa më të ashpra për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit, me fokus të veçantë te drejtimi i automjetit nën efektin e alkoolit, përdorimi i celularit në timon dhe shkeljet e shoferëve të rinj.

Një nga ndryshimet më të forta lidhet me drejtuesit që përsërisin shkeljen e drejtimit në gjendje të dehur. Nëse një person është ndëshkuar më parë për këtë shkelje dhe kapet sërish duke drejtuar mjetin me mbi 0.5 gram alkool për litër gjak, do t’i hiqet përgjithmonë leja e drejtimit, pa të drejtë për ta rimarrë atë përmes autoshkollës.

Masat prekin edhe personat që drejtojnë automjetin pa patentë. Të rriturit që kapen në këtë shkelje, përveç gjobës, nuk do të kenë të drejtë të pajisen me leje drejtimi për një periudhë 1-vjeçare. Për të miturit, sanksioni është edhe më i rëndë, pasi pas mbushjes së moshës 18 vjeç do të duhet të presin edhe dy vite të tjera për të nisur procedurat për marrjen e patentës.

Projektligji vendos rregulla të posaçme edhe për shoferët e rinj gjatë dy viteve të para pas pajisjes me leje drejtimi. Gjatë kësaj periudhe ata nuk do të lejohen të konsumojnë alkool para se të drejtojnë mjetin, ndërsa shpejtësia maksimale do të jetë 90 km/h në autostradë dhe 80 km/h në rrugët jashtë qendrave të banuara. Shkelja e këtyre kufizimeve ndëshkohet me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për një muaj dhe heqje pikësh. Nëse kryhen dy shkelje brenda një viti, kufizimet zgjaten edhe për një vit tjetër.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është se pezullimi i patentës nuk do të mund të shmanget më me pagesën e dyfishit të gjobës, siç lejohej deri tani në disa raste. Për patentat e lëshuara nga autoritetet shqiptare, pezullimi do të zbatohet automatikisht.

Parashikohet gjithashtu rritje e gjobave për tejkalimin e shpejtësisë në zonat e banuara dhe pranë shkollave, si edhe për garat e paligjshme apo manovrat agresive në rrugë. Gjobat do të variojnë nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.

Ndërkohë, drejtuesit që kapen dy herë brenda një viti duke përdorur celularin gjatë drejtimit do të përballen me pezullim të patentës për tre muaj. Ndalimi i përdorimit të celularit do të zbatohet jo vetëm për drejtuesit e automjeteve, por edhe për ata që lëvizin me biçikleta, motomjete deri në 50 cc dhe monopatina elektrike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat