Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike dhe disa raportimeve në media lidhur me procedurën e prokurimit për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria ka hedhur poshtë pretendimet për parregullsi, duke sqaruar se tenderi është zhvilluar në përputhje me legjislacionin shqiptar për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Sipas Ministrisë, procedura është zhvilluar mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë. Institucioni ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet se bëhet fjalë për një “tender të mbyllur”.
Ministria bën me dije se në garë kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë, ndërsa kompania fituese është përzgjedhur pasi ka paraqitur ofertën me çmimin më të ulët. Operatori tjetër, sipas saj, është skualifikuar pasi nuk plotësonte kriteret ligjore të kualifikimit, kapacitetit ekonomik dhe teknik.
Lidhur me pretendimet se kompania fituese ndodhet nën ndalim për të kontraktuar me administratat publike, Ministria e Mbrojtjes i ka cilësuar ato të pavërteta.
Sipas deklaratës, kompania AVIATION TRADE EUROPE, S.L. ka paraqitur certifikatën e regjistrit penal që vërteton mungesën e rekordeve penale dhe gëzon të drejtën për të marrë pjesë në procedura publike prokurimi.
Ministria sqaroi se pretendimet e referuara në media lidhen me një çështje gjyqësore në Spanjë, për të cilën vendimi nuk ka marrë ende formë të prerë dhe ndodhet në shqyrtim nga Gjykata e Lartë. Për këtë arsye, sipas saj, kjo çështje nuk krijon efekte juridike dhe nuk përbën bazë për përjashtimin e kompanisë nga procedurat e prokurimit.
Në reagim thuhet gjithashtu se kompania ka vijuar të kontraktojë me institucione publike të vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, duke përmendur bashkëpunime me Ministrinë e Mbrojtjes së Qipros dhe Ministrinë e Brendshme të Malit të Zi.
Ministria e Mbrojtjes thekson se sigurimi i kapaciteteve ajrore për shuarjen e zjarreve është një projekt me rëndësi strategjike për mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pasurisë dhe mjedisit, ndërsa garanton se çdo procedurë do të vijojë të zhvillohet në respekt të ligjit dhe interesit publik.



