Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Nisja e fazës së dytë të Reformës Administrativo-Territoriale ka përplasur mazhorancën dhe opozitën në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend. Në qendër të debatit është ngritja e një komisioni të posaçëm parlamentar me mandat 9-mujor, ndërsa Partia Demokratike kundërshton mënyrën se si po zhvillohet procesi.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku është larguar nga mbledhja, duke argumentuar se pjesëmarrja e opozitës nuk ka kuptim në një proces që, sipas saj, është orientuar që në fillim nga Partia Socialiste.
“Komisioni i parë shërbeu vetëm për të vizatuar hartën”, u shpreh Tabaku, duke vënë në pikëpyetje nevojën për ngritjen e një komisioni tjetër, pasi sipas saj, puna që duhej të ishte bërë më parë nuk prodhoi një rezultat të përbashkët.
Ajo theksoi se reforma territoriale kërkon besimin e të dyja palëve politike dhe se harta e re e bashkive duhej të miratohej me konsensus. Sipas Tabakut, vetëm pas këtij konsensusi mund të vijonte një paketë ligjore që do të synonte përmirësimin e financave publike, rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët, forcimin e kapaciteteve vendore dhe përfitimin nga fondet e kohezionit.
Blushi akuzon mazhorancën për kërcënime ndaj deputetëve
Kritika ndaj procesit ka pasur edhe nga Partia e Lirisë. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Tedi Blushi, ka akuzuar mazhorancën për shkelje të të drejtave të opozitës dhe ka kërkuar që Kuvendi të mbajë qëndrim lidhur me pretendimet për kërcënime ndaj deputetëve në kuadër të votimit të reformës territoriale.
Blushi e ka cilësuar miratimin e hartës së re si një proces që, sipas tij, cenon interesat e qytetarëve, ndërsa ka përdorur tone të ashpra ndaj mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama.
Ai kërkoi gjithashtu që Kuvendi të reagojë ndaj pretendimeve për presione ndaj deputetëve, duke përmendur rastet e Erion Braçes dhe Elisa Spiropalit.
Balla: PD-ja ta çojë reformën në Gjykatën Kushtetuese
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kundërshtuar qëndrimin e opozitës dhe ka deklaruar se Jorida Tabaku u largua nga mbledhja pa dëgjuar përgjigjet e tij dhe të kryetarit të Kuvendit.
“Parashtroi mendimin e grupit të PD-së, të cilin nuk e kuptova. Shpresoj që deri të enjten të ketë reflektim”, u shpreh Balla, duke shtuar se Tabaku nuk qëndroi për të dëgjuar përgjigjet lidhur me pretendimet për moszgjatjen e mandatit të komisionit të posaçëm.
Socialisti iu referua edhe reformës territoriale të vitit 2014, kur Partia Demokratike iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, pasi nuk mori pjesë në procesin e miratimit.
Balla deklaroi se edhe këtë herë opozita mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese nëse kundërshton procedurën e ndjekur nga Kuvendi.
“Jam i bindur se procedura e ndjekur nga Kuvendi është në përputhje me Kushtetutën. Ta çojnë”, deklaroi Balla.
Përplasja për fazën e dytë të reformës territoriale rikthen në vëmendje debatin mes mazhorancës dhe opozitës për hartën e bashkive dhe mënyrën e organizimit të pushtetit vendor. Ndërsa socialistët mbrojnë vijimin e procesit përmes një komisioni të ri, opozita këmbëngul se pa konsensus politik reforma rrezikon të mos sigurojë mbështetjen e nevojshme.



