Kreu i PD, Sali Berisha, ka sulmuar ambasadorin e Bashkimi Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, duke e akuzuar se po sillet si “ambasador i Edi Ramës”.
Në deklaratën e bërë në Ditën e Europës, 9 Maj, Berisha tha se Gonzato ka transmetuar në Bruksel, sipas tij, “trillime” ndaj opozitës shqiptare, duke pretenduar se Partia Demokratike nuk mbështet integrimin e vendit në BE.
“Ky zotëri, në mënyrë të vërtetuar, ka transmetuar në Bruksel trillime më të pavërteta ndaj opozitës. Sikur opozita nuk është për integrimin”, deklaroi Berisha.
Ai u ndal edhe te çështja e mosheqjes së imunitetit për Belinda Balluku, duke pretenduar se ambasadori Gonzato e ka cilësuar atë si “interpretim shqiptar të imunitetit”.
Sipas Berishës, përfaqësues të rëndësishëm të BE-së i kanë bërë të qartë ambasadorit se opozita shqiptare dhe PD mbeten të pozicionuara fuqishëm pro integrimit evropian.
Kreu i demokratëve shtoi se do të vazhdojë të flasë “hapur” ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe qytetarëve shqiptarë, ndërsa akuzoi ambasadorin Gonzato se është “unifikuar” me kryeministrin Edi Rama.



