back to top
38.1 C
Tirana
E hënë, 29 Qershor, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaPas 7 vitesh në krye të akuzës/ Çela: Rikthimi i besimit te...

Pas 7 vitesh në krye të akuzës/ Çela: Rikthimi i besimit te drejtësia do të jetë i vështirë

Kryeprokurori Olsian Çela ka deklaruar se një nga sfidat më të mëdha të institucioneve të drejtësisë mbetet gjetja e ekuilibrit mes transparencës ndaj publikut dhe ruajtjes së sekretit hetimor, në një kohë kur rrjetet sociale dhe zhvillimet teknologjike kanë ndryshuar mënyrën e formimit të opinionit publik.

Gjatë Konferencës për Ndërveprimin e Drejtësisë me Median, Çela u shpreh se institucionet tradicionale përballen me vështirësi në përshtatjen ndaj këtyre ndryshimeve, veçanërisht organet e drejtësisë, të cilat duhet të ruajnë diskrecionin hetimor, por njëkohësisht të garantojnë transparencën.

“Nuk është e lehtë për institucionet tradicionale t’u përshtaten në kohë këtyre zhvillimeve transformuese shoqërore. Aq më tepër për organet e drejtësisë, që duhet të ushtrojnë funksione që kërkojnë nivel të lartë diskrecioni, por edhe transparencë ndaj publikut”, tha Çela.

Sipas tij, gjetja e këtij ekuilibri ndërlikohet edhe nga nevoja për të ruajtur besueshmërinë e publikut, e cila lidhet ngushtë me komunikimin institucional.

Ai theksoi se sistemi i drejtësisë në Shqipëri ndodhet ende në një fazë komplekse transformimi dhe se perceptimi publik ndaj tij ka qenë negativ për një periudhë të gjatë.

“Sistemi ynë i drejtësisë është ende duke kaluar një fazë komplekse transformimi strukturor. Perceptimi publik ka arritur nivele negative rekord gjatë 10–15 viteve të fundit dhe rikuperimi i besimit do të jetë i vështirë”, u shpreh Kryeprokurori.

Sipas tij, mbingarkesa në punë dhe pritshmëritë e larta do të ndikojnë edhe për një periudhë të konsiderueshme në cilësinë e performancës së institucioneve të drejtësisë, ndërsa përmirësimi do të vijë gradualisht.

Në këtë kuadër, Çela theksoi se modernizimi i komunikimit institucional është bërë domosdoshmëri.

Ai bëri të ditur se Prokuroria e Përgjithshme ka ndërmarrë masa konkrete për të rritur transparencën dhe komunikimin me publikun dhe median, përmes një mekanizmi të ri koordinimi të brendshëm.

“Në Prokurorinë e Përgjithshme janë marrë masa konkrete që kanë ndikuar në një qëndrim më të hapur institucional ndaj medias. Është krijuar një mekanizëm koordinimi vertikal për të rritur cilësinë e njoftimeve”, deklaroi Çela.

Sipas tij, vetëm gjatë vitit 2025 janë shpërndarë rreth 220 njoftime nga nivele të ndryshme të prokurorisë, ndërsa faqja zyrtare e institucionit ka pasur rreth 696 mijë vizita, me kohë mesatare qëndrimi nga tre deri në pesë minuta.

Ai shtoi se Prokuroria ka edhe një prani të zgjeruar në rrjetin social X, me mbi 1700 postime në shqip dhe anglisht që prej vitit 2022, duke synuar komunikim të drejtpërdrejtë me publikun.

Çela njoftoi gjithashtu se në muajin prill është miratuar strategjia e re e komunikimit publik, e cila synon forcimin e marrëdhënieve me median dhe rritjen e besimit ndaj institucionit.

Megjithatë, ai theksoi se sfida kryesore mbetet ruajtja e ekuilibrit mes sekretit hetimor dhe transparencës, në një kohë kur perceptimet shpesh ndikojnë më shumë se faktet.

“Çështja kryesore është sa do të jemi në gjendje të ruajmë integritetin e institucionit përballë presionit për të qenë të pëlqyeshëm”, u shpreh Kryeprokurori.

Në përfundim, Çela u bëri thirrje magjistratëve të rinj që të ushtrojnë detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, duke theksuar se drejtësia duhet t’i shërbejë publikut përmes profesionalizmit dhe integritetit, dhe jo përmes kërkimit të pëlqyeshmërisë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat