Në Gjykatën Administrative ka nisur këtë të premte shqyrtimi i padisë së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kundër prokurorit të SPAK, Ols Dado, ku vihet në diskutim ligjshmëria e emërimit të këtij të fundit.
Vetë Veliaj ishte i pranishëm në seancë, ndërsa përfaqësuesja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk u paraqit. Pavarësisht mungesës së KLP-së, gjykata vendosi të vijojë me shqyrtimin e çështjes.
Gjatë seancës, Veliaj kritikoi qëndrimin e KLP-së, duke deklaruar se institucioni ka munguar gjatë gjithë procesit.
“KLP është në mungesë në gjithë këtë proces, jo vetëm sot. KLP nuk kthen përgjigje. Siç urdhëroni publikun të fshijë filmimet, urdhëroni KLP-në të përgjigjet. Më mirë në mungesë të KLP-së sesa me mungesë”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i kryebashkiakut, Plarent Ndreca, e cilësoi procesin si të parregullt dhe “qesharak”, duke ngritur shqetësime për kufizimin e aksesit të publikut dhe të mediave në sallën e gjyqit.
Sipas tij, qytetarët po pengohen të hyjnë në seancë, ndërsa gazetarëve po u ndalohet filmimi, në kundërshtim me udhëzimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
“Duket që në këtë proces po humbet durimi në çdo kuptim, po kthehet në proces qesharak. Një polici pa kompetencë rri te dera dhe ndalon hyrjen e qytetarëve në seancën publike. Mbyllja hermetike që duhet të jetë në sy të publikut po kthehet në një gjykatë të mbyllur me hekura”, deklaroi Ndreca.
Ai shtoi se gjykata duhet të zbatojë Kushtetutën dhe ligjin, duke respektuar të drejtën e publikut dhe të mediave për të ndjekur procesin.
Gjatë seancës, Veliaj bëri edhe komente lidhur me situatën e tij personale, duke deklaruar:
“Jam 500 ditë në burg nga një person me 5-a. 500 ditë që jam i rrëmbyer, kush i pastron plehrat? Pse nuk është ndërtuar asnjë kopsht i ri?”, mësohet të ketë thënë kryebashkiaku.
Në përfundim, Gjykata Administrative vendosi të shtyjë seancën e radhës për më 3 korrik.



