Vijon për rreth 3 orë zjarri i fuqishëm në kompleksin e pallateve pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në fasadën e një prej godinave dhe kanë depërtuar edhe në brendësi të saj.
Zjarri ka shkrumbuar një pjesë të madhe të fasadës së veshur me material polisteroli, duke favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve përgjatë strukturës së pallatit.
Forcat zjarrfikëse kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve në pjesën e jashtme të ndërtesës, ndërsa ndërhyrja po vijon në brendësi të apartamenteve të banimit, ku dyshohet se zjarri është përhapur në disa njësi banimi.
Në momentin e shpërthimit të zjarrit, në ndërtesë ndodheshin edhe banorë. Zjarrfikësit kanë arritur të shpëtojnë dhe të nxjerrin nga ballkonet dy gra, të cilat u transportuan menjëherë në spital për ndihmë mjekësore dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, bëhet me dije se në Urgjencën e QSUT-së dhe në repartin e Djegie-Plastikës janë paraqitur deri tani 11 persona, mes tyre banorë dhe efektivë zjarrfikës, të cilët kanë pësuar asfiksi nga tymi dhe dëmtime të lehta nga djegia.
Nga të lënduarit, 5 persona vijojnë të marrin trajtim mjekësor në spital, ndërsa pritet që gjendja e tyre të stabilizohet dhe të largohen në orët në vijim.
Autoritetet zjarrfikëse dhe grupet e emergjencës po vijojnë punën në terren për shuarjen përfundimtare të vatrave të mbetura dhe për garantimin e sigurisë në zonë.



