Adela Kondakçi, ish-financierja që ka bashkëpunuar me SPAK duke dhënë informacione dhe dëshmi lidhur me veprimtarinë e kompanive të hetuara nga Prokuroria e Posaçme, ka dëshmuar këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme.
Kondakçi, e cila ka punuar për një periudhë të gjatë si financiere e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka paraqitur qëndrimin e saj përpara gjykatës për rolin që ka pasur në çështjen nën hetim.
Përmes avokatit të saj mbrojtës, ish-financierja ka deklaruar se nuk ka pasur përfitime personale dhe se veprimet e saj kanë qenë vetëm zbatim i udhëzimeve të marra.
“Jo vetëm që nuk ka përfituar, por është vënë në dispozicion të drejtësisë dhe ka pasur kosto për transparencën e saj. Ka ndihmuar në zbardhjen e së vërtetës për organet e drejtësisë”, është shprehur avokati i saj.
Sipas akuzës, Kondakçi ka dhënë informacione dhe materiale për mënyrën e funksionimit të disa kompanive që SPAK dyshon se kontrolloheshin në mënyrë të tërthortë nga Ajola Xoxa.
Ish-financierja ka rrëfyer para hetuesve detaje mbi skema të dyshuara të korrupsionit dhe pastrimit të parave, duke dorëzuar edhe materiale që, sipas saj, ndihmojnë në zbardhjen e çështjes.
Marrëdhënia e saj profesionale me Ajola Xoxën është ndërprerë pas një periudhe mosmarrëveshjesh, ku sipas pretendimeve të saj, ajo është larguar nga puna pas pakënaqësive të shprehura lidhur me çështjet e pagave.
Kondakçi ka pretenduar gjithashtu se pas dëshmive të dhëna për SPAK ka pasur presion nga Ajola Xoxa dhe përfaqësuesit e saj ligjorë.
Çështja vijon të jetë nën shqyrtim në Gjykatën e Posaçme, ndërsa palët pritet të paraqesin më tej qëndrimet dhe konkluzionet e tyre.



