KreuAktualitetPolitika“Nëse nuk je në tryezë, je në menu”/ Kina dhe Shqipëria përballë...

“Nëse nuk je në tryezë, je në menu”/ Kina dhe Shqipëria përballë rivalitetit të fuqive të mëdha

Si shihet Kina e sotme nga Ballkani dhe çfarë ndikimi kanë historia, informacioni dhe zhvillimet e reja globale në marrëdhëniet me të? Këto ishin disa prej çështjeve që u vunë në diskutim më 18 shtator në Tiranë, ku akademikë, diplomatë, studiues dhe ekspertë nga Shqipëria, Kina, Italia dhe Maqedonia e Veriut u mblodhën në konferencën ndërkombëtare “Vëzhgimi i Kinës bashkëkohore nga Ballkani: Dialog dhe reflektime”.

Takimi u zhvillua në një periudhë kur raportet e Kinës me Evropën dhe Perëndimin po ndikohen nga zhvillime të rëndësishme në politikën ndërkombëtare, ekonomi dhe teknologji. Përmes diskutimeve në Tiranë, pjesëmarrësit sollën perspektiva të ndryshme mbi mënyrën se si Kina bashkëkohore shihet në Ballkan, por edhe mbi arsyet dhe faktorët që kanë formësuar këto perceptime ndër vite.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua historisë së marrëdhënieve mes Kinës dhe vendeve të Ballkanit. Në fokus ishte gjithashtu mënyra se si informacioni dhe narrativat ndikojnë në perceptimin publik për Kinën, krahas zhvillimeve politike dhe ekonomike dhe hapësirave që ekzistojnë për një bashkëpunim më të gjerë.

Debati u zhvillua edhe përballë ndryshimeve që po ndodhin në rendin ndërkombëtar, duke ngritur pyetje mbi mundësitë, por edhe sfidat që sjell zgjerimi i bashkëpunimit me Kinën në këtë realitet të ri.

Konferenca u organizua nga Instituti Shqiptar për Studime të Globalizimit (AIGS) dhe Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri. Aktiviteti pati gjithashtu Argumentum.al si partner mediatik.

Në tryezë u sollën tema që shkojnë përtej marrëdhënieve tradicionale mes shteteve. Diskutimet prekën raportet Shqipëri–Kinë dhe perceptimin e Kinës në shoqëritë ballkanike, por edhe bashkëpunimin akademik, diplomacinë mes qyteteve, zhvillimin e inteligjencës artificiale, sovranitetin digjital dhe sfidat me të cilat përballen shtetet e vogla në një kohë kur rivaliteti mes fuqive të mëdha po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.

Pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme të paraqitura gjatë forumit, një ide u përsërit në forma të ndryshme nga disa prej folësve. Kina nuk mund të shpjegohet përmes një narrative të vetme, ndërsa marrëdhëniet me të kërkojnë njohje, dialog dhe ekspertizë.

Musabelliu: “Sa mirë e kuptojmë në të vërtetë Kinën sot?”

Në hapje të forumit, Dr. Marsela Musabelliu, Drejtore Ekzekutive e Institutit Shqiptar për Studime të Globalizimit, vuri theksin te nevoja për një diskutim më të hapur mbi Kinën bashkëkohore.

“Ne po jetojmë përmes një periudhe ndryshimesh të mëdha në çështjet ndërkombëtare dhe Kina është një pjesë e rëndësishme e këtij ndryshimi. Për ne në Ballkan, të kuptuarit e këtyre zhvillimeve është veçanërisht i rëndësishëm”, u shpreh ajo.

Musabelliu ngriti pyetjen që në një farë mënyre përshkoi të gjithë konferencën: “Sa mirë e kuptojmë në të vërtetë Kinën sot?”

Sipas saj, kjo pyetje bëhet veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur Kina po ndryshon me shpejtësi dhe njëkohësisht po transformohen marrëdhëniet e saj me Evropën, ekonominë globale dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë.

Ajo iu referua edhe disa prej koncepteve që Kina promovon në politikën e saj ndërkombëtare, përfshirë idenë e “një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin”, multilateralizmin, bashkëpunimin me përfitim të ndërsjellë dhe kundërshtimin e mentalitetit të Luftës së Ftohtë.

“Si kuptohen këto ide këtu, në Evropë dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor? Si përputhen ato me mënyrën se si Kina diskutohet dhe perceptohet në shoqëritë tona?”, pyeti Musabelliu.

Ajo theksoi se qëllimi i forumit nuk ishte të ofronte një interpretim të vetëm të Kinës.

“Ideja është e thjeshtë. Të krijojmë një hapësirë ku mund të diskutojmë Kinën bashkëkohore nga këndvështrime të ndryshme, hapur dhe seriozisht, pa e reduktuar një vend kaq kompleks në një narrativë të vetme”, tha ajo.

Për Musabelliun, të kuptuarit nuk do të thotë domosdoshmërisht të biesh dakord. “Do të thotë të kesh mundësinë të dëgjosh, të shqyrtosh dhe të reflektosh”, theksoi ajo.

Ambasadorja Pang Chunxue: Katër nisma të Kinës në një botë që ndryshon

Fjalën kryesore të forumit e mbajti Sh.T. Pang Chunxue, Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës Popullore të Kinës në Republikën e Shqipërisë.

Në kumtesën e saj, ambasadorja u ndal te ndryshimet në rendin ndërkombëtar, rritja e rolit të vendeve të Jugut Global dhe qasja e Kinës ndaj zhvillimeve globale.

Pang theksoi se bota po përjeton ndryshime të shpejta, ndërsa pasiguria dhe rreziqet ndërkombëtare janë shtuar.

Sipas saj, rritja kolektive e vendeve të Jugut Global është një prej faktorëve që po ndikon në procesin e shumëpolarizimit të botës.

Në këtë kuadër, ambasadorja prezantoi katër nisma globale të Kinës:

  • Nisma Globale për Zhvillimin, e orientuar, sipas saj, drejt adresimit të hendekut të zhvillimit dhe promovimit të zhvillimit të qëndrueshëm;
  • Nisma Globale për Sigurinë, e mbështetur në sigurinë e përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme;
  • Nisma Globale për Qytetërimin, që promovon dialogun mes qytetërimeve, respektimin e diversitetit dhe mësimin e ndërsjellë;
  • Nisma Globale për Qeverisjen, e cila, sipas Pekinit, synon forcimin e barazisë sovrane, sundimit ndërkombëtar të ligjit, multilateralizmit dhe bashkëpunimit.

Pang i paraqiti këto nisma si të ndërlidhura dhe si pjesë të qasjes së Kinës ndaj ndryshimeve në sistemin ndërkombëtar.

Në fund të fjalës së saj, ajo ftoi studiuesit dhe ekspertët të vijojnë diskutimin mbi Kinën bashkëkohore, marrëdhëniet Kinë–Shqipëri dhe bashkëpunimin mes Kinës dhe vendeve të Ballkanit.

Prof. Kong Fanjun: Perceptimet për Kinën në Ballkan janë të shumëllojshme

Prof. Kong Fanjun, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare të Universitetit të Pekinit, u ndal te mënyra se si Kina perceptohet në vendet e Ballkanit.

Duke iu referuar përvojës së tij nga udhëtimet e shumta në vendet e rajonit, Prof. Kong theksoi se ka një pluralitet të konsiderueshëm qëndrimesh ndaj Kinës, si në qarqet akademike, ashtu edhe në shoqëri dhe në politikë.

Sipas tij, njohuritë dhe perceptimet e krijuara në Ballkan për Kinën nuk e pasqyrojnë gjithmonë kompleksitetin e realitetit kinez. Për të ilustruar këtë ide, ai iu referua një thënieje të vjetër kineze: “Një gjethe para syve bllokon pamjen e Malit Tai.”

Përmes kësaj metafore, Prof. Kong argumentoi se një këndvështrim i caktuar mund të ndikojë në mënyrën se si Kina shihet dhe interpretohet, duke lënë në plan të dytë aspekte të tjera të rëndësishme të realitetit të saj.

Ai vuri në dukje se njohja e Kinës mund të jetë një proces selektiv dhe, në rrethana të caktuara, edhe instrumental, veçanërisht në mënyrën se si ndërtohen dhe interpretohen marrëdhëniet e bashkëpunimit dypalësh.

Megjithatë, sipas Prof. Kong, kjo duhet parë edhe në raport me kompleksitetin e vetë Kinës. Ai e përshkroi Kinën si një fenomen shumëdimensional, duke nënvizuar se analiza e saj nuk mund të reduktohet në një dimension të vetëm.

 Prof. Liang Zhanjun: Tre periudha në marrëdhëniet Shqipëri–Kinë

 Prof. Liang Zhanjun, profesor i Historisë dhe drejtor i Qendrës së Studimeve Globale dhe Rajonale në Capital Normal University në Kinë, paraqiti një përmbledhje historike të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës, duke i ndarë ato në tri periudha kryesore.

Periudha e parë, 1949–1955, u karakterizua nga vendosja dhe konsolidimi i marrëdhënieve diplomatike dhe krijimi i lidhjeve të para institucionale ndërmjet dy vendeve, në kontekstin e solidaritetit socialist.

Periudha e dytë, 1955–1978, shënoi intensifikimin e marrëdhënieve shqiptaro-kineze. Bashkëpunimi politik, ekonomik dhe ideologjik u zhvillua në kushtet e Luftës së Ftohtë dhe të një konteksti të përcaktuar fuqishëm nga ideologjia komuniste. Marrëdhëniet ndërmjet Tiranës dhe Pekinit morën një rëndësi të veçantë në politikën e jashtme të të dy vendeve.

Periudha e tretë, 1978–1990, sipas Prof. Liang, u karakterizua nga përkeqësimi dhe dobësimi i ndjeshëm i marrëdhënieve. Ndryshimet në orientimet politike, ekonomike dhe në politikën e jashtme të të dyja palëve sollën një distancim gradual.

Prof. Liang vuri në dukje se gjatë viteve 1990 u shfaq një interes i ri për rivendosjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit shqiptaro-kinez, në një periudhë të shënuar nga ndryshime të thella pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Duke iu referuar situatës së sotme, Prof. Liang e karakterizoi marrëdhënien Shqipëri–Kinë si delikate dhe komplekse. Në këtë kontekst, ai përmendi edhe deklarimet publike të Kryeministrit shqiptar, i cili është shprehur pozitivisht për mungesën e investimeve kineze në Shqipëri.

Sipas Prof. Liang, ky qëndrim pasqyron një realitet të ri në marrëdhëniet dypalëshe, i cili, sipas tij, duhet parë në kontekstin e ndryshimeve të mëdha gjeopolitike dhe të orientimeve të reja të Shqipërisë në politikën e jashtme.

 Biljana Vankovska: Njohja e “tjetrit” përmes bashkëpunimit akademik

Prof. Dr. Biljana Vankovska, Presidente e Synergia Orbi dhe pedagoge në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, e zhvendosi diskutimin nga marrëdhëniet shtetërore te mënyra se si prodhohet dija.

Tema e saj ishte “Të mësojmë të njohim njëri-tjetrin: Bashkëpunimi akademik dhe prodhimi i dijes mes Kinës dhe Ballkanit”.

Vankovska argumentoi se bashkëpunimi akademik nuk është vetëm shkëmbim informacioni.

Ai ndikon edhe në mënyrën se si ndërtohet perceptimi për “tjetrin”.

Studiuesit kinezë dhe ballkanikë, sipas saj, vijnë nga tradita akademike, përvoja historike dhe korniza të ndryshme interpretimi. Kjo mund të përcaktojë jo vetëm atë që shihet, por edhe atë që mbetet jashtë vëmendjes.

Ajo ngriti pyetje mbi burimet që përdoren, narrativat që privilegjohen dhe mënyrën se si bashkëpunimi akademik mund të ndihmojë në korrigjimin e perceptimeve të njëanshme.

Vankovska vuri theksin te reciprociteti intelektual, duke argumentuar se bashkëpunimi i ardhshëm duhet të kalojë nga transferimi njëkahësh i njohurive drejt një dialogu ku të dyja palët shqyrtojnë edhe supozimet e tyre.

Gianpaolo Camaggio: 40 vite miqësi mes Guangzhou dhe Barit

 Një shembull konkret të marrëdhënieve mes qyteteve solli Prof. Gianpaolo Camaggio, Drejtor Shkencor i Masterit në Biznesin Ndërkombëtar në Kinë në LUM – Universiteti “Giuseppe Degennaro” në Bari dhe themelues i Sinoglobal Investments Advisory.

Tema e tij ishte “Vëzhgimi i Kinës nga perspektiva e qyteteve binjakë: 40 vite miqësi mes Guangzhou dhe Barit”.

Camaggio u ndal te 40-vjetori i marrëdhënieve të binjakëzimit mes dy qyteteve, të nisura në vitin 1986.

Guangzhou dhe Bari kanë disa karakteristika të përbashkëta, pasi janë qytete portuale, porta drejt vendeve të tyre dhe qendra të rëndësishme të tregtisë dhe panaireve ndërkombëtare.

Por, sipas Camaggios, për rreth tre dekada marrëdhënia mbeti kryesisht në nivel vizitash reciproke.

Ndryshimi erdhi kur Bashkia e Barit nisi një qasje më profesionale dhe të qëndrueshme, duke përfshirë ekspertë me njohuri mbi Kinën dhe kulturën kineze.

Kjo hapi rrugën për bashkëpunim në universitete, akademi arti, konservatorë, teatro dhe media.

“Diplomacia mes qyteteve”, sipas tij, mund të krijojë kanale komunikimi që shkojnë përtej marrëdhënieve tradicionale shtetërore.

Camaggio theksoi se marrëdhëniet mes qyteteve mund të ndihmojnë në kapërcimin e paragjykimeve dhe mosbesimit dhe të krijojnë mundësi edhe për bashkëpunim ekonomik me ndikim në komunitetet lokale.

Dr. Ylber Marku: Historia nuk është thjesht e kaluar

Diskutimi vijoi me Dr. Ylber Markun, studiues në Institutin e Historisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Tema e tij ishte “Jehona e historisë në bashkëpunimin Kinë–Evropë Juglindore”.

Marku e nisi analizën nga historia e marrëdhënieve shqiptaro-kineze dhe përvoja e Luftës së Ftohtë.

Sipas tij, marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë të përhershme dhe një shtet duhet të jetë gjithmonë i përgatitur për ndryshimin.

Ai argumentoi se marrëdhënia shqiptaro-kineze e periudhës së Luftës së Ftohtë ishte një raport i veçantë dhe asimetrik, në të cilin të dyja palët kishin interesa të ndryshme, por të ndërthurura.

Shqipëria ofronte mbështetje politike për Kinën, ndërsa Kina i ofronte Shqipërisë ndihmë ekonomike dhe ushtarake.

Një prej mësimeve që Marku nxori nga kjo periudhë ishte se asimetria nuk do të thotë domosdoshmërisht varësi.

Sipas tij, edhe një shtet i vogël mund të ndjekë interesat e veta, megjithëse madhësia e kufizon hapësirën e veprimit dhe e bën më të rëndësishme llogaritjen strategjike.

Një tjetër element i rëndësishëm ishte diversifikimi.

Diversifikimi nuk është armiqësi. Është një formë sigurie”, tha Marku.

Sipas tij, Shqipëria mund të zhvillojë marrëdhënie ekonomike dhe akademike me Kinën duke ruajtur njëkohësisht orientimin e saj europian dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë.

Ai theksoi gjithashtu se marrëdhëniet e sotme nuk kanë pse të ndërtohen mbi afërsi ideologjike.

Marrëdhëniet mund të ndërtohen mbi interesa konkrete dhe të qëndrueshme”, tha ai, duke përmendur ekonominë, arsimin, kërkimin akademik, kulturën, turizmin, infrastrukturën dhe dialogun diplomatik.

Në këtë kuadër, Marku e cilësoi njohjen e ndërsjellë si një burim strategjik.

Sipas tij, Shqipërisë i nevojiten specialistë që të studiojnë Kinën jo vetëm përmes deklarimeve zyrtare, por edhe përmes kërkimit të pavarur dhe analizës akademike.

“Shkëmbimet akademike nuk duhet të konsiderohen periferike ndaj marrëdhënieve dypalëshe”, argumentoi ai.

Marjana Doda: Marrëdhëniet Shqipëri–Kinë në rendin e ri ndërkombëtar

Marjana Doda, analiste e çështjeve ndërkombëtare dhe njohëse e zhvillimeve gjeopolitike, u ndal në marrëdhëniet Shqipëri–Kinë dhe në mundësitë e reja të bashkëpunimit në kushtet e ndryshimit të rendit ndërkombëtar.

Në kumtesën “Marrëdhëniet Kinë–Shqipëri në rendin e ri ndërkombëtar: Perceptimi, sfidat dhe mundësitë”, Doda u ndal në tri dimensione: marrëdhëniet mes dy vendeve, mënyra se si perceptohet Kina në shoqërinë shqiptare dhe mundësitë e reja që mund të krijohen.

Doda e vendosi marrëdhënien dypalëshe në kontekstin e ndryshimeve të thella në sistemin ndërkombëtar.

Sipas saj, historia është një pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve Shqipëri–Kinë, por nuk duhet të bëhet pengesë për të kuptuar Kinën e sotme.

“Kina e sotme është shumë ndryshe nga Kina e viteve ’70, ’90 apo edhe nga Kina e vitit 2017”, tha Doda.

Një prej pyetjeve të ngritura prej saj ishte nëse Shqipëria e ka shfrytëzuar plotësisht potencialin e marrëdhënieve me Kinën.

Ajo iu referua nismave të mëdha kineze ekonomike dhe infrastrukturore, përfshirë Nismën Brez dhe Rrugë, dhe mekanizmave të bashkëpunimit Kinë–Evropë Qendrore dhe Lindore.

Sipas Dodës, potenciali i marrëdhënieve mbetet ende pjesërisht i pashfrytëzuar.

Por një nga pikat më të rëndësishme të fjalës së saj lidhej me dallimin mes informacionit dhe njohjes.

“Sot kemi shumë më tepër informacion për Kinën, por kjo nuk do të thotë automatikisht se e njohim më mirë Kinën”, ishte në thelb argumenti i saj.

Doda theksoi se qëllimi nuk duhet të jetë krijimi i një imazhi pozitiv ose negativ të Kinës.

“Qëllimi nuk duhet të jetë domosdoshmërisht krijimi i një imazhi pozitiv apo negativ të Kinës, por krijimi i kushteve për një kuptim më të informuar, të bazuar në fakte dhe prova”, theksoi ajo.

Në këtë proces, sipas saj, media ka një rol të rëndësishëm.

“Bashkëpunimi mediatik është shumë më tepër se një mekanizëm për transmetimin e mesazheve. Ai mund të kontribuojë në mënyrën se si shoqëritë kuptojnë njëra-tjetrën”, tha Doda.

Në përfundim, ajo iu rikthye një formulimi të përdorur prej saj në një artikull të vitit 2017: “Shqipëria, sërish larg dhe afër Kinës”.

“Sfida nuk është thjesht ta afrojmë Kinën me Shqipërinë. Sfida është të ndërtojmë një marrëdhënie që e njohim më mirë, e kuptojmë më qartë dhe jemi në gjendje ta zhvillojmë mbi baza konkrete, të dobishme për të dyja palët”, tha Doda.

Ermir Hajdini: Inteligjenca artificiale dhe sovraniteti digjital

Nga historia dhe gjeopolitika, forumi kaloi te një prej sfidave më të rëndësishme të kohës: teknologjia.

Dr. Ermir Hajdini, strateg i së drejtës kibernetike dhe këshilltar për politikat teknologjike, prezantoi kumtesën “Kostoja e mohimit: Si justifikimi i rënies së hegjemonisë pengon reformën reale të politikave”.

Hajdini argumentoi se rendi global digjital po kalon një ndryshim strukturor dhe se zhvillimi i inteligjencës artificiale po krijon mundësi të reja për vendet me ekonomi të mesme dhe në zhvillim.

Në fokus ishte koncepti i sovranitetit digjital.

Sipas Hajdinit, vendet nuk duhet të vlerësojnë teknologjitë vetëm mbi bazën e origjinës së tyre gjeopolitike, por edhe mbi bazën e kostos, funksionalitetit, kontrollit mbi të dhënat dhe kapacitetit për t’i administruar ato në mënyrë të pavarur.

Ai solli në diskutim edhe konceptin “Sovraniteti Digjital si Shërbim”, si një model ku shtetet mund të përdorin infrastrukturë teknologjike duke ruajtur kontrollin mbi të dhënat dhe sistemet e tyre.

Për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, Hajdini vuri në dukje një dilemë: nga njëra anë integrimi europian dhe përafrimi me kuadrin rregullator të BE-së; nga ana tjetër nevoja për të zhvilluar kapacitete të veta teknologjike.

Sipas tij, nuk mjafton miratimi i ligjeve për inteligjencën artificiale.

Nevojiten njëkohësisht infrastrukturë, kapacitete kompjuterike, ekspertizë vendase dhe burime njerëzore.

Hajdini u ndal edhe te ndikimi i inteligjencës artificiale në tregun e punës.

Sipas tij, politikat publike duhet të synojnë që automatizimi të rrisë produktivitetin dhe të fuqizojë punonjësit, duke adresuar njëkohësisht pasojat sociale të transformimit teknologjik.

Marsela Musabelliu: Shqipëria përballë rivalitetit të fuqive të mëdha

Në mbyllje të forumit, Dr. Marsela Musabelliu prezantoi kumtesën “Thellimi i bashkëpunimit mes dhe pavarësisht frymës së kohës: Gjeopolitika, politika dhe njerëzit”.

Ajo e vendosi Shqipërinë në kontekstin e një sistemi ndërkombëtar ku rivaliteti mes fuqive të mëdha po bëhet gjithnjë e më përcaktues.

“Nëse nuk je në tryezë, je në menu”, ishte një prej formulimeve të përdorura prej saj për të përshkruar dilemën e shteteve të vogla.

Musabelliu iu referua konceptit të “Dilemës së Liliputëve”, sipas të cilit shtetet e vogla kërkojnë marrëdhënie me fuqitë e mëdha për të rritur peshën e tyre, por njëkohësisht përballen me rrezikun e kufizimit të hapësirës së tyre të manovrimit.

Në rastin shqiptar, ajo u ndal te pesha që fuqitë e mëdha kanë pasur historikisht në zhvillimet e vendit dhe te orientimi i fortë euroatlantik i politikës së jashtme.

Por, sipas saj, ndryshimet në marrëdhëniet ndërkombëtare kërkojnë që shtetet e vogla të ruajnë hapësirën e tyre për manovrim.

Si perceptohet Kina në Shqipëri?

 Një pjesë e rëndësishme e kumtesës iu kushtua perceptimit të Kinës në shoqërinë shqiptare.

Musabelliu argumentoi se debati për Kinën shpesh përqendrohet te ndikimi, siguria, varësia ekonomike dhe koncepti i “kurthit të borxhit”.

Ajo theksoi se këto çështje duhet të analizohen mbi bazën e të dhënave dhe realitetit konkret shqiptar.

Duke iu referuar një studimi kombëtar me më shumë se 1,800 të anketuar në 15 qytete, Musabelliu tha se mbi 62% e të anketuarve kishin një perceptim pozitiv ndaj Kinës.

Sipas saj, ky perceptim është formuar gjatë dekadave përmes projekteve industriale, shkëmbimeve teknike, arsimit, kujtesës historike dhe kontakteve njerëzore.

Për këtë arsye, ajo argumentoi se perceptimi shqiptar për Kinën nuk mund të shpjegohet vetëm përmes rivalitetit aktual SHBA–Kinë.

“Dy tabelat e shahut” dhe hapësira e shteteve të vogla

Musabelliu iu referua edhe konceptit të “dy tabelave të shahut” për të përshkruar dimensionet e rivalitetit SHBA–Kinë.

Në një mjedis të tillë, sipas saj, shtetet e vogla përballen me presion për të pozicionuar politikën e tyre në raport me fuqitë e mëdha.

Në këtë kontekst, ajo e vendosi dialogun dhe durimin në qendër të marrëdhënieve Shqipëri–Kinë.

“Shumë histori ekziston mes Kinës dhe Shqipërisë; ajo nuk mund të hidhet poshtë dhe nuk do të hidhet”, u shpreh ajo.

Duke cituar ish-kryeministrin australian dhe sinologun Kevin Rudd, Musabelliu solli edhe formulimin: “Superfuqia e Kinës është durimi.”

Forumi i Tiranës, më 18 shtator, solli në një hapësirë të përbashkët historinë, diplomacinë, gjeopolitikën, ekonominë, teknologjinë dhe akademinë.

Por mbi të gjitha, diskutimi u përqendrua te një pyetje që mbetet e hapur: Si duhet ta kuptojë Ballkani Kinën e shekullit XXI?

Nga historia te e ardhmja, nga marrëdhëniet shtetërore te kontaktet mes njerëzve, mesazhi i forumit ishte i qartë: njohja e ndërsjellë kërkon dialog të vazhdueshëm, ekspertizë dhe aftësinë për të parë përtej narrativave të gatshme.

Një diskutim për të kuptuar më mirë të tashmen dhe për të menduar me më shumë qartësi për të ardhmen.

E Vërteta.al

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat