KreuAktualitetPolitika“Dil betohu në Bibël”/ Berisha sfidon Gjiknurin për akuzat mbi Arubën

“Dil betohu në Bibël”/ Berisha sfidon Gjiknurin për akuzat mbi Arubën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe deputeti socialist Damian Gjiknuri janë përfshirë në një shkëmbim të ashpër akuzash gjatë seancës plenare të kësaj të enjteje në Kuvend.

Berisha akuzoi kreun e SPAK, Altin Dumani, se po fsheh emrin e Damian Gjiknurit në hetime dhe i kërkoi deputetit socialist të sqarojë pretendimet për një udhëtim në Aruba.

“Damian, tani, edhe po nuk ke qenë, të gjithë për ty thonë. Bëj be sa të duash, nuk ta besojnë”, deklaroi Berisha nga foltorja e Kuvendit.

Nga ana e tij, Gjiknuri i hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si “shpifje ordinere”, ndërsa kundërsulmoi duke aluduar për përpjekjet e Berishës për të rifituar mundësinë e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kur të dalë e vërteta e Arubës, edhe unë do të them çfarë marrëveshjesh ka bërë ai për të lënë hapësirë që të udhëtojë sërish në Amerikë. Këtë duhet t’ua shpjegojë ai deputetëve të tij”, u shpreh Gjiknuri.

Deputeti socialist shtoi se nuk ka asnjë lidhje me personat e përmendur nga Berisha dhe se nuk i njeh ata, ndërsa vuri në dukje se disa prej emrave të përmendur kanë lidhje familjare me kreun e PD-së.

Pas deklaratave të Gjiknurit, Berisha reagoi sërish, duke i kërkuar atij të mohojë publikisht pretendimet për Arubën.

“Me asnjë shpifje nuk e lan dot veten tënde, Damian. Dil e bëj be këtu që s’ke qenë në Aruba. Dil betohu në Bibël dhe lahu para shqiptarëve”, tha Berisha.

Debati mes dy politikanëve erdhi në një seancë të tensionuar, ku akuzat dhe kundërakuzat dominojnë diskutimet mes mazhorancës dhe opozitës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat