Monika Kryemadhi ka mohuar në Gjykatën e Posaçme të ketë pasur ndikim politik për të hapur rrugët e kompanive të biznesit Adrian Shatku në procedurat për shtrirjen e fibrave optike, duke këmbëngulur se i gjithë procesi është ndjekur nga rrugët institucionale dhe është i dokumentuar me shkresa zyrtare.
Gjatë seancës në GJKKO, ish-deputetja sfidoi akuzën e SPAK, duke kërkuar që prokuroria të paraqesë qoftë edhe një komunikim që ajo t’i ketë kërkuar ish-ministri të Transporteve, Edmond Haxhinasto, të favorizuar kompaninë e Shatkut.
“Ma gjeni një mesazh ku i them Edmond Haxhinastos ‘bëjë këtë’, ‘shkarkohesh nga puna’ apo ‘bëje për një efekt të tillë’. Nuk ekziston asnjë provë e tillë”, deklaroi Kryemadhi para trupit gjykues.
Sipas saj, fakti që procedurat kanë kaluar nëpër disa institucione dhe te ministri tregon se nuk ka pasur asnjë gje të paligjshme. Ajo theksoi se biznesmenit Adrian Shatkut i ka sugjeruar që të veprojë me shkresë zyrtare dhe jo në rrugë informale.
Sipas saj, komunikimet mes Adrian Shatkut dhe Edmond Haxhinastos janë zyrtare dhe në asnjë rast biznesmeni nuk ka pretenduar se kishte kontrollin e saj apo të saj.
Ish-gruaja e Ilir Metës ndal edhe te përmendja në dosjen hetimore të vajzës së saj, Bora, duke mohuar pretendimet se Adrian Shatku apo kushëriri i saj ka paguar shpenzimet e shkollimit të saj jashtë vendit.
“Çdo gjë për vajzën time mund të verifikohet lehtësisht përmes analizës së financave dhe dokumentacionit të shkollës”, u shpreh Kryemadhi, duke deklaruar se SPAK-u nuk kërkon informacion zyrtar përmes letërporosisë.
Sipas saj, komunikimet për kartat e bankave, shpenzimet private apo çështjet familjare nuk mund të interpretohen automatikisht si prova për akuzat që lidhen me fibrat optike.
Kryemadhi u ankua gjithashtu për ekspozimin mediatik të hetimeve të saj, duke deklaruar se SPAK ka kontrolluar në detaje jetën e saj private dhe ka bërë publike informacione që, sipas saj, nuk ka lidhje me objektet e gjykimit.
“SPAK më ka numëruar edhe qimet e shtëpisë”.
Nga ana tjetër, kryetari i trupit gjykues, Erion Bani, i kërkoi Kryemadhit të ishte më përmbledhur në fjalë, duke sqaruar në seancë lexohen vetëm ato komunikime që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pyetjen që i bëhet, jo çdo email apo mesazh i administruar në dosjen e hetimit.



