KreuDrejtësiaPër herë të dytë në garë/ Adnan Xholi kandidon për Prokuror të...

Për herë të dytë në garë/ Adnan Xholi kandidon për Prokuror të Përgjithshëm

Prokurori i SPAK, Adnan Xholi, ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke u bërë emri i parë që hyn zyrtarisht në garën për drejtimin e organit qendror të akuzës.

Aplikimi i tij është dorëzuar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndërsa deri në përfundim të afatit ligjor, më 1 gusht, pritet që në garë të përfshihen edhe kandidatë të tjerë. Pas mbylljes së procesit të aplikimeve, KLP do të verifikojë nëse kandidatët plotësojnë kriteret ligjore dhe më pas do t’i propozojë Kuvendit tre emra, nga të cilët do të zgjidhet Prokurori i ri i Përgjithshëm me mandat 7-vjeçar. Mandati i kreut aktual të Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, përfundon në muajin dhjetor.

Adnan Xholi është një prej prokurorëve më të njohur të Prokurorisë së Posaçme, me një eksperiencë të gjatë në hetimin e çështjeve të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjatë karrierës së tij në SPAK, ai ka mbajtur edhe detyrën e drejtuesit të Seksionit Kundër Krimit të Organizuar dhe ka qenë pjesë e hetimeve për disa nga dosjet më të rëndësishme penale të viteve të fundit.

Kjo nuk është hera e parë që Xholi kandidon për një post drejtues në sistemin e drejtësisë. Më herët, ai ka garuar dy herë për drejtimin e SPAK, duke qenë një prej emrave më të përfolur brenda institucionit.

Karriera e tij është e lidhur ngushtë me strukturat e posaçme të hetimit, ku ka punuar në dosje që lidhen me grupe të strukturuara kriminale, korrupsion dhe pastrim parash, në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtarë të drejtësisë.

Sa i përket pasurisë, deklarimet e tij pranë institucioneve të kontrollit rezultojnë se ajo është krijuar kryesisht nga të ardhurat familjare dhe paga si prokuror. Në formularët e deklarimit të pasurisë ndër vite janë pasqyruar pasuri të paluajtshme të zotëruara në bashkëpronësi, llogari bankare dhe kursime të deklaruara sipas detyrimeve ligjore, si edhe detyrime financiare të krijuara nëpërmjet kredive bankare.

Emri i Adnan Xholit nuk është shoqëruar me kontestime publike lidhur me pasurinë e tij gjatë ushtrimit të detyrës, ndërsa kandidimi për postin e Prokurorit të Përgjithshëm e vendos atë përballë një prej proceseve më të rëndësishme në karrierën e tij profesionale.

Me nisjen e garës për pasardhësin e Olsian Çelës, mbetet për t’u parë se cilët do të jenë kandidatët e tjerë që do të kërkojnë drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe cili prej tyre do të marrë mbështetjen e Kuvendit për të drejtuar organin e akuzës për shtatë vitet e ardhshme.

Kandidatura që pritet të trazojë garën për Prokurorin e Përgjithshëm/ Pasuria dhe lidhjet me botën politike

Kryeprokurori i ri/ Si shpëtoi nga SPAK-u kandidati që synon kreun e akuzës

Kandidate për Prokurore të Përgjithshme?/ Gruaja që goditi call center-at e 50 milionë eurove

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat