Gjyqtarja Marinela Osmani është emri që riktheu në SPAK për plotësim hetimesh dosjen ndaj koleges së saj, Irena Gjoka, pasi Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar pushimin e procedimit penal. Vendimi i Osmanit u mor më 19 maj 2026, duke i lënë SPAK-ut një afat prej 6 muajsh dhe një sërë detyrash hetimore për t’u plotësuar.
Çështja ndaj Irena Gjokës lidhet me kallëzimin e bërë nga Partia Demokratike, ku pretendohet se ajo ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një vendim penal të dhënë nga një gjykatë greke në Janinë në vitin 2005, për përdorim dokumentesh të parregullta. SPAK kishte argumentuar se nuk provohej dijenia e Gjokës për këtë proces dhe se ndjekja penale ishte parashkruar.
Por kush është Marinela Osmani?
Marinela Osmani ka ushtruar më herët detyrën si gjyqtare pranë Gjykatës së Tiranës dhe më pas u komandua si këshilltare ligjore në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Emri i saj është përmendur edhe gjatë procesit të vettingut, për shkak të lidhjes familjare me ish-prokurorin Gentian Osmani, i cili u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit për probleme me deklarimin e pasurisë.
Marinela Osmani e ka kaluar procesin e rivlerësimit kalimtar, ndryshe nga bashkëshorti i saj. Megjithatë, në media janë ngritur më herët pikëpyetje për komandimin e saj në KLGJ në kohën kur po zhvillohej procesi i vettingut.
Osmani ishte gjithashtu gjyqtarja që mori në shqyrtim kërkesën e SPAK për pushimin e çështjes ndaj Irena Gjokës, ndërsa më herët GJKKO kishte rrëzuar kërkesën e PD-së për përjashtimin e saj nga kjo çështje.
Vendimi i fundit i Marinela Osmanit për rikthimin e dosjes në SPAK konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në një prej çështjeve më të debatuara që lidhen me integritetin e sistemit të drejtësisë dhe vettingun e gjyqtarëve të posaçëm./ E Vërteta.al
GJKKO rrëzon SPAK-un/ Rikthen për hetim dosjen e gjyqtares Irena Gjoka



