Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, ka bërë të ditur se do të kandidojë si i pavarur për kryetar të Bashkisë së Vlorës në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Përmes një deklarate publike, Malaj konfirmoi vendimin e tij, duke iu përgjigjur interesimit të mbështetësve dhe qytetarëve që, sipas tij, e kanë pyetur gjithnjë e më shpesh për planet e tij politike.
“Po! Unë do të kandidoj në vitin 2027 si i pavarur për kryetar i Bashkisë Vlorë. Kjo është përgjigjja për çdo mbështetës dhe dashamirës, por edhe për çdo qytetar që më pyet gjithnjë e më shumë”, shprehet Malaj.
Ai falënderoi të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ata që mund të mos e mbështesin kandidaturën e tij, duke theksuar se kjo është pjesë e demokracisë dhe debatit qytetar në Vlorë.
Malaj argumenton se kandidimi si i pavarur i jep atij lirinë për të mos qenë i lidhur me interesat e partive politike apo grupeve të interesit në Tiranë, duke premtuar se çdo vendimmarrje do të ketë në fokus interesat e qytetarëve të Vlorës.
Sipas tij, një kandidat i pavarur nuk ka detyrime politike ndaj drejtuesve partiakë dhe nuk është i detyruar të zbatojë urdhra që bien ndesh me interesin e komunitetit lokal.
Ish-ministri e cilëson kandidimin e tij si një alternativë për qytetarët e zhgënjyer nga politika tradicionale, duke synuar të tërheqë mbështetjen e atyre që kanë zgjedhur të mos votojnë apo që nuk identifikohen me partitë politike.
Në deklaratën e tij, Malaj premton një fushatë të bazuar te respekti për kundërshtarët politikë dhe diskutimi i hapur i problemeve të qytetit, si pronësia, turizmi, infrastruktura dhe shërbimet publike.
Ai shprehet se synon krijimin e një lëvizjeje qytetare që do të bashkojë intelektualë, aktivistë, sipërmarrës dhe përfaqësues të shoqërisë civile, pa barriera partiake.
Malaj deklaron gjithashtu se, nëse zgjidhet në krye të Bashkisë së Vlorës, do të garantojë një administratë të bazuar në meritokraci dhe të çliruar nga presionet politike, duke premtuar fundin e favorizimeve dhe rritjen e transparencës në vendimmarrje.
“Aseti ynë më i madh është kapitali moral dhe liria. Nëse arrijmë ta kthejmë këtë liri në një lëvizje bashkuese qytetare për Vlorën, mund të thyejmë apatinë elektorale dhe ta bëjmë Vlorën qytetin e barazisë së mundësive për çdo banor të saj”, përfundon deklarata e Arben Malajt.



