Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë këtë të premte në ceremoninë e shpalljes së fituesve të programit të startup-eve për të rinjtë në Elbasan, ku ka vlerësuar publikisht kontributin e deputetes socialiste Bora Muzhaqi.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal tek roli i ish-ministres në programet për të rinjtë dhe inovacionin, duke deklaruar se ajo nuk ka marrë vlerësimin që meriton për punën e bërë.
“Këtu në Elbasan kemi 27 shkolla ku nxënësit mësojnë bazat e para të kodimit. Këtu në Elbasan kemi një personazh që nuk i merr meritat e duhura, që është Bora Muzhaqi, e cila për shumëkënd është një meme e famshme, por për mua dhe për rrugën e këtij programi, është një protagoniste pa të cilën ne nuk do të kishim bërë shumëçka që bëmë në hapat e parë”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se eksperienca e Muzhaqit duhet të shfrytëzohet më tej në mbështetje të të rinjve dhe aplikimeve në programe inovative.
“Dhe për këtë arsye dua të nxjerr këtu shembullin dhe kontributin e Borës dhe, njëkohësisht, ta nxis Borën që të përdorë eksperiencën e saj për të mësuar sa më shumë të rinj që të bëjnë aplikimet e duhura”, deklaroi Rama.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të mbështetjes për startup-et dhe projektet inovative të të rinjve, ndërsa kryeministri vuri theksin tek arsimi teknologjik dhe nxitja e aftësive digjitale në shkolla.



