back to top
22.8 C
Tirana
E enjte, 11 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetPD: SHBA i heq statusin “non grata” Sali Berishës

PD: SHBA i heq statusin “non grata” Sali Berishës

Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i është hequr statusi “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Burime nga Partia Demokratike konfirmuan se vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit i është komunikuar Berishës përmes një bisede telefonike nga e ngarkuara me punë e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn.

Vendimi shënon një kthesë të rëndësishme në raportet mes liderit demokrat dhe administratës amerikane, pas më shumë se pesë vitesh nga shpallja e tij “non grata”.

Më 19 maj 2021, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, firmosi vendimin për shpalljen e Sali Berishës dhe familjes së tij të papërshtatshëm për hyrje në SHBA, duke e akuzuar ish-kryeministrin shqiptar për përfshirje në korrupsion madhor. Berisha e kundërshtoi ashpër këtë vendim dhe ndërmori një betejë ligjore kundër Blinken, duke e paditur për shpifje në një gjykatë në Paris, por pa sukses.

Shpallja “non grata” pati pasoja të rëndësishme politike në Shqipëri. Më 9 shtator 2021, atëherë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vendosi përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar demokrat. Ky vendim çoi në nisjen e një lëvizjeje të gjerë brenda PD-së nga Berisha, e cila përfundoi me largimin e Bashës nga drejtimi i partisë dhe rikthimin e Berishës në krye të demokratëve.

Pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Partia Demokratike intensifikoi përpjekjet për heqjen e sanksioneve ndaj liderit të saj. Në këtë kuadër, një vit më parë PD kontraktoi kompaninë amerikane të lobimit “Continental Strategy”, me një pagesë prej 250 mijë dollarësh në muaj. Sipas kontratës, kompania do të ndihmonte demokratët në krijimin e kontakteve me administratën amerikane dhe Kongresin, si dhe në promovimin e reformave dhe bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Megjithatë, objektivi kryesor i nënkuptuar i kontratës konsiderohej heqja e sanksioneve ndaj Sali Berishës.

Heqja e statusit “non grata” pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në skenën politike shqiptare, ndërsa Partia Demokratike e konsideron këtë zhvillim si një fitore të rëndësishme politike dhe diplomatike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat