Mbledhja e zhvilluar një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama me deputetët socialistë dhe kabinetin qeveritar është shoqëruar me debate dhe tensione, ku protagonist ka qenë deputeti Erion Braçe.
Sipas raportimeve mediatike, gjatë diskutimeve me dyer të mbyllura, Rama ka shprehur kritika ndaj deputetëve dhe ministrave për mënyrën se si janë përballuar protestat dhe për mungesën e reagimit ndaj shqetësimeve të qytetarëve.
Pas fjalës së Braçes, debati mes tij dhe kryeministrit është ashpërsuar, duke bërë që kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, të kërkojë ndërprerjen e mbledhjes për disa minuta.
Në reagimin e tij publik, Erion Braçe ka mohuar raportimet se është nxjerrë jashtë mbledhjes, duke i cilësuar ato si një përpjekje për “linçim politik”.
“Kjo është njësoj si teknologjia e vezës, asaj vezës që qëllohen deputetë pa asnjë shkak, pa u ditur as emrin një pjese, por është në të njëjtën linjë, synon vetëm linçimin, ndaj është ‘vrasje me pagesë’ në politikë”, u shpreh Braçe.
Deputeti socialist bëri të ditur se para se të merrte fjalën në mbledhje, u kishte kërkuar kolegëve që të mos nxirrnin jashtë diskutimet e tij, por sipas tij, jo vetëm që informacionet u publikuan, por edhe u deformuan.
“Mua dje nuk më ka nxjerrë askush jashtë. Jam ulur sepse nuk kam pasur çfarë të them më dhe pasi kam thënë aty, e në mbledhjen pararendëse, gjithçka që thonë socialistët prej një viti. Kam dalë jashtë vetë sepse nuk kam pasur më çfarë të dëgjoja. Kjo është e vërteta”, deklaroi ai.
Pas pushimit të shkurtër dhe largimit të Braçes nga salla, mbledhja ka vijuar normalisht me diskutimet e planifikuara.



