Qindra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e kësaj të premteje në sheshin “Skënderbej”, për të zhvilluar protestën e 20-të radhazi, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Tubimi nisi rreth orës 19:00, ndërsa më pas protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku u grumbulluan për të vijuar protestën, në atë që organizatorët e cilësojnë si një mobilizim të pandërprerë qytetar.
Pavarësisht se kanë kaluar 20 ditë nga nisja e protestave, pjesëmarrja ka mbetur e lartë, me qytetarë që vijojnë të mblidhen çdo mbrëmje në Tiranë për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe për të kërkuar ndryshime politike.
Ashtu si në tubimet e mëparshme, protestuesit pritet të zhvillojnë edhe një marshim nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit, duke përcjellë mesazhet dhe kërkesat e tyre.
Sipas pjesëmarrësve, protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesës kryesore, që është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë.
Prej 20 ditësh, qytetarët janë mobilizuar në kryeqytet, duke e kthyer protestën në një nga lëvizjet më të gjata qytetare të viteve të fundit.



