Nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka mohuar kategorikisht pretendimet që e lidhin me takime në Aruba, duke deklaruar se nuk ka qenë kurrë atje dhe se nuk ka dërguar askënd në lidhje me këtë çështje.
Rama u shpreh se në epokën e algoritmeve dhe rrjeteve sociale, përsëritja e vazhdueshme e një pretendimi mjafton që ai të perceptohet si i vërtetë nga opinioni publik.
Duke iu referuar deklaratave të analistit Fatos Lubonja, kreu i qeverisë tha se llogaridhënia duhet të bazohet mbi fakte dhe jo mbi akuza që, sipas tij, janë ricikluar vazhdimisht në hapësirën digjitale.
“Çfarë vlere ka që unë të them se nuk kam qenë kurrë në Aruba, nuk e di fare për çfarë bëhet fjalë, nuk kam dërguar kurrë njeri? Këto nuk kanë vlerë, sepse Aruba është bërë e vërtetë, është nxjerrë në këtë fushën e algoritmit, është ricikluar në pafundësi dhe është bërë e vërtetë”, tha Rama.
Kryeministri solli edhe shembuj të tjerë të akuzave që, sipas tij, janë kthyer në narrativa të pranuara nga një pjesë e opinionit publik për shkak të përsëritjes së tyre në rrjetet sociale.
Sipas Ramës, dokumentet apo vendimet gjyqësore nuk mjaftojnë për të rrëzuar pretendime të tilla, pasi “algoritmi i ka bërë të vërteta”, ndaj, siç tha ai, nuk e sheh të nevojshme t’u përgjigjet vazhdimisht këtyre akuzave.



