Skënder Nika, 55-vjeçari i cili u dhunua së bashku me bashkëshorten e tij, Bardhe Nika, në fshatin Arst të Fushë Arrëzit, ka rrëfyer momentet e sulmit, duke deklaruar se autorët u prezantuan si efektivë policie.
Në një prononcim për mediat, ai tha se pasi e ndaluan, njëri prej personave mbante automatik, ndërsa tre ose katër të tjerë ishin të pajisur me shkopinj druri.
“Më thanë ‘ndalo, policia’. U ula në tokë. Njëri kishte automatik, 3-4 të tjerë kishin shkop druri. Ikën nga unë dhe më pas në rrugë gjetën gruan time. Ajo kuptoi se çfarë më ndodhi edhe erdhi të më ndihmojë, por e kapën në rrugë”, u shpreh Nika.
Ndërkohë, Policia bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur mëngjesin e 17 qershorit, rreth orës 08:00, në fshatin Arst, ku dyshohet se dy persona ende të paidentifikuar kanë goditur me sende të forta shtetasit S. N., 55 vjeç, dhe B. N., 51 vjeçe, banues në këtë fshat.
Si pasojë e dhunës, të dy kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.



