Një tjetër ndryshim në qeverinë Rama është bërë publik këtë të premte. Besfort Lamallari është larguar nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme, /ndërsa në vend të tij kryeministri Edi Rama ka vendosur Ervin Demon, i cili deri tani mbante postin e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor.
Lëvizja nuk lidhet vetëm me ndryshimin e ministrit. Rama ka vendosur që çështjet e pushtetit vendor të integrohen në Ministrinë e Brendshme, duke bashkuar kështu dy strukturat.
Lamallari, i cili mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme në mars të këtij viti, pas disa vitesh në poste drejtuese në qeveri, nuk largohet nga ekipi qeveritar. Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se ai do të kalojë në Kryeministri dhe do të jetë pjesë e ekipit të tij.
“Besforti, nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme, do të kalojë në stolin tim, së bashku me mua dhe ekipin në Kryeministri”, deklaroi Rama, duke e paraqitur lëvizjen si një ndryshim në skuadrën qeverisëse.
Pra, bëhet fjalë për një largim nga drejtimi i ministrisë, por jo për një dalje të Lamallarit nga qeveria.
Çfarë ndodhi me Ministrinë e Brendshme?
Sipas Ramës, me ndryshimin e ri, Ervin Demo do të marrë përgjegjësinë për çështjet e Brendshme, ndërsa brenda së njëjtës ministri do të integrohen edhe çështjet vendore.
Kjo do të thotë se struktura që deri tani drejtonte Demo si Ministër Shteti për Pushtetin Vendor nuk do të ketë më një drejtues të veçantë. Funksionet e saj do të kalojnë në Ministrinë e Brendshme.
Rama e ka shpjeguar vendimin si një rikthim të çështjeve vendore nën përgjegjësinë e Ministrisë së Brendshme, duke argumentuar se kjo nuk është diçka e panjohur për historikun e këtij dikasteri.
Kush është Ervin Demo?
Ervin Demo bëhet kështu ministri i ri i Brendshëm. Ai nuk është një emër i ri në administratën publike dhe politikën shqiptare.
Demo ka drejtuar Bashkinë e Beratit nga viti 2019 deri në vitin 2025. Pas zgjedhjeve të vitit 2025, ai u emërua Ministër Shteti për Pushtetin Vendor.
Më herët, gjatë viteve 2017–2018, ka mbajtur detyrën e zëvendësministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Ndërsa nga viti 2012 deri në vitin 2016 ka qenë zëvendësrektor i Universitetit të Tiranës.
Karriera e tij është e lidhur edhe me akademinë. Demo ka qenë pedagog me kohë të plotë në Departamentin e Menaxhimit në Fakultetin e Ekonomisë dhe ka kryer studimet universitare në Mbretërinë e Bashkuar. Më pas ka ndjekur studime postdoktorale në Universitetin e Bolonjës, ku është specializuar në menaxhim dhe zhvillim akademik.
Po Besfort Lamallari, çfarë posti do të mbajë?
Pas largimit nga Ministria e Brendshme, Lamallari do të kalojë në Kryeministri, ku do të jetë pjesë e ekipit të Edi Ramës.
Lamallari ka një eksperiencë të gjatë në qeverisje. Përpara se të bëhej ministër i Drejtësisë në shtator 2025 dhe më pas ministër i Brendshëm në mars 2026, ai kishte shërbyer për vite si zëvendësministër i Brendshëm.
.Pse u largua Lamallari?
Deri tani, nga deklarimet publike të bëra nga kryeministri, nuk është dhënë një arsye konkrete që të lidhet me ndonjë skandal, hetim apo ngjarje specifike në Ministrinë e Brendshme.
Rama e ka paraqitur vendimin si pjesë të një riorganizimi të ekipit qeverisës dhe të strukturës së ministrive.
Kështu, qeveria kalon në një tjetër konfigurim, ndërsa Lamallari, pas vetëm disa muajsh në krye të Ministrisë së Brendshme, largohet nga posti për t’u bërë pjesë e ekipit të Ramës në Kryeministri.



