KreuAktualitetPolitikaEmergjencat Civile në alarm/ Rama paralajmëron zjarre, masat

Emergjencat Civile në alarm/ Rama paralajmëron zjarre, masat

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të hënë një takim me efektivët e zjarrfikësve dhe trupat e Emergjencave Civile në Bazën Ajrore të Farkës, ku bëri thirrje për gatishmëri maksimale përballë temperaturave të larta dhe rrezikut në rritje të zjarreve gjatë sezonit veror.

Gjatë fjalës së tij, Rama solli në vëmendje situatën e rëndë me zjarret në Francë dhe Spanjë, ku qindra mijëra persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre, ndërsa sipërfaqe të mëdha pyjore janë shkatërruar nga flakët. Ai shprehu solidaritetin me trupat zjarrfikëse që po përballen me emergjencat në këto vende dhe theksoi se Shqipëria është e gatshme të ofrojë ndihmë, nëse do t’i kërkohet.

Kreu i qeverisë nënvizoi se zjarret nuk përbëjnë më një fenomen të izoluar, por janë pasojë e ndryshimeve klimatike, duke paralajmëruar se situata të ngjashme mund të ndodhin edhe në Shqipëri.

“Solidariteti i njerëzve që luftojnë kundër zjarrit nuk njeh kufij. Ajo që po ndodh sot në Francë dhe Spanjë mund të ndodhë edhe te ne dhe duhet të jemi të përgatitur për ta përballuar”, u shpreh Rama.

Ai bëri të ditur se ky sezon do të shërbejë si një test i rëndësishëm për të vlerësuar përmirësimet e bëra në koordinimin dhe kapacitetet operacionale të forcave në terren.

Sipas kryeministrit, për herë të parë koordinimi i strukturave është ndjekur nga Ministri i Pushtetit Vendor, ndërsa vendi ka tashmë në dispozicion mjete dhe teknologji që nuk i ka pasur më parë.

Rama njoftoi se Shqipëria disponon aktualisht katër helikopterë në gatishmëri të plotë për përballimin e emergjencave me zjarret, ndërsa janë përfunduar procedurat për blerjen e tre avionëve të rinj zjarrfikës, të cilët pritet t’i shtohen flotës ajrore në fund të këtij viti.

Po ashtu, ai bëri me dije se është dakordësuar edhe mbështetja me mjete ajrore nga bazat partnere ndërkombëtare, të cilat mund të aktivizohen në rast të emergjencave të mëdha.

“Shqipëria është një vend i vogël dhe nuk ka luksin të humbasë asnjë hektar pyll. Kjo kërkon përgatitje, disiplinë, investime dhe koordinim maksimal mes të gjitha strukturave”, deklaroi kryeministri.

Takimi në Bazën Ajrore të Farkës u fokusua te masat e marra për sezonin e zjarreve dhe forcimi i kapaciteteve të Emergjencave Civile për përballimin e situatave kritike gjatë muajve të verës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat