Ka përfunduar mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Burime bëjnë me dije se gjatë takimit është diskutuar kryesisht situata politike në vend, protestat si dhe çështja e Zvërnecit. Po ashtu, deputetëve u janë dhënë udhëzime për mënyrën se si duhet të menaxhojnë dhe trajtojnë zhvillimet aktuale politike.
Sipas të njëjtave burime, gjatë mbledhjes kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, ka tentuar të informojë deputetët lidhur me Marjana Koçekun.
“Shokë dhe shoqe, do t’ju informoj në lidhje me një ish-kolege”, mësohet të ketë thënë Balla.
Në atë moment ka ndërhyrë kryeministri Edi Rama, i cili ka kërkuar që kjo çështje të mos bëhet pjesë e diskutimeve në mbledhje.
“Lëre, po çfarë ish-kolege”, citohet të ketë thënë Rama, duke ndërprerë kreun e grupit parlamentar.
Mbledhja u zhvillua pa praninë e mediave dhe pa një komunikim zyrtar mbi përmbajtjen e diskutimeve.



