Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, u përcolli një mesazh magjistratëve të rinj gjatë Konferencës Kombëtare për Ndërveprimin e Sistemit të Drejtësisë me Mediat, duke theksuar se profesioni kërkon integritet, paanshmëri dhe përgjegjësi të lartë publike.
Sadushi deklaroi se hyrja në sistemin e drejtësisë nuk është thjesht një arritje profesionale, por pranimi i një misioni që kërkon dije, karakter dhe vetëdije për ndikimin që vendimet e magjistratëve kanë në jetën e qytetarëve.
“Dija juridike është vetëm fillimi i rrugës suaj. Pas çdo dosjeje nuk ka vetëm akte procedurale, por një njeri, një familje, një biznes dhe një interes publik që pret drejtësi”, u shpreh ai.
Kreu i Gjykatës së Lartë theksoi se sfida më e madhe e një magjistrati nuk është vetëm njohja e ligjit, por ruajtja e integritetit dhe aftësia për t’i rezistuar presioneve të momentit.
“Drejtësinë nuk e mbajnë në këmbë risitë e momentit, por vlerat mbi të cilat ajo ndërtohet”, tha Sadushi, duke shtuar se përulësia është shoqëruesja më e mirë e dijes.
Duke folur për marrëdhënien mes drejtësisë dhe opinionit publik, ai nënvizoi se magjistratët nuk duhet të ndikohen nga perceptimet e krijuara në media apo rrjetet sociale.
“Ju nuk do të merrni vendime për të kënaqur opinionin publik, por për t’i shërbyer ligjit”, deklaroi Sadushi.
Në përfundim, ai pranoi se profesioni i magjistratit do të ketë momente të vështira dhe vetmie, por theksoi se autoriteti i vërtetë ndërtohet mbi qetësinë, paanshmërinë dhe besnikërinë ndaj ligjit.



