Një debat i fortë ka përfshirë seancën e fundit parlamentare mes deputetit socialist Erion Braçe dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, lidhur me situatën alarmante mjedisore në Tiranë dhe zvarritjen prej vitesh të projekteve për trajtimin e ujërave të ndotura.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Braçe paralajmëroi përkeqësim të situatës me ardhjen e temperaturave të larta të verës, duke deklaruar se ujërat e ndotura po derdhen hapur në lumenjtë e kryeqytetit.
“Tirana po hyn në javën dhe muajt ku qelbet erë… Ujëra të ndotura, siç më bën me dije UKT përmes kësaj letre, derdhen në lumenjtë e Tiranës, në Lanë dhe lumin e Tiranës, me gjasë edhe në Erzen”, deklaroi deputeti, duke iu referuar një shkrese zyrtare të Ujësjellës Kanalizime Tiranë.
Braçe kritikoi ashpër ritmin e zhvillimit urban në kryeqytet, duke theksuar se ndërtimet e shumta nuk po shoqërohen me investime në infrastrukturën nëntokësore dhe trajtimin e ujërave të zeza.
Sipas tij, zona të reja si Lagjja nr. 13 dhe Bulevardi i Ri rrezikojnë të përballen me probleme serioze, pasi mungojnë kapacitetet për përpunimin e shkarkimeve urbane.
“Asnjë metër volum i ri në rrjet s’po shtohet, asnjë impiant për përpunimin e ujërave nuk është ndërtuar për të shoqëruar ndërtimet e reja”, u shpreh Braçe.
Nga ana tjetër, ministri Enea Karakaçi pranoi rëndësinë jetike të projektit për trajtimin e ujërave të ndotura, por theksoi se zbatimi është penguar nga probleme të shumta me kontraktorët dhe ndërprerja e kontratës fillestare.
Sipas tij, projekti financohet përmes një marrëveshjeje huaje me Bankën Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, me vlerë rreth 61 milionë euro.
Plani parashikon ndërtimin e një impianti modern në Kashar me kapacitet mbi 94 mijë metra kub ujë në ditë, si dhe dy kolektorë kryesorë për menaxhimin e ujërave të ndotura të Tiranës dhe Lanës.
Ministri bëri të ditur se kontrata e nisur para vitit 2016 u ndërpre pas auditimeve të Ministrisë së Infrastrukturës.
“Implementimi filloi para vitit 2016 me afat 36 muaj, por pas problemeve serioze afati u shty me 52 muaj. Kontrata u ndërpre në mënyrë të njëanshme nga autoriteti kontraktor pas auditimit të ministrisë”, deklaroi Karakaçi.
Ai shtoi se aktualisht projekti teknik është rishikuar dhe se shumë shpejt pritet të nisë procedura konkurruese për vijimin e punimeve.



