Një prej episodeve më të diskutuara dhe më misterioze të viteve të fundit, i njohur si “takimi i Arubës”, është konfirmuar tashmë zyrtarisht në dosjen hetimore të Prokurorisë së Posaçme.
Sipas dokumenteve të SPAK, personat nën hetim Artur Shehu, Adrian Rama dhe Elton Memeti kanë zhvilluar takime mes tyre jashtë Shqipërisë, konkretisht në Spanjë dhe në ishullin Aruba, ndërsa kanë komunikuar edhe për takime me funksionarë të lartë shtetërorë.
Megjithëse dosja nuk zbulon identitetin e zyrtarëve të përmendur, hetuesit i konsiderojnë këto kontakte pjesë të skemës së dyshuar për investimin dhe transformimin e parave të përfituara nga trafiku i drogës në prona, zhvillime turistike dhe projekte ndërtimi në Shqipëri.
Sipas SPAK, nga veprimet noteriale dhe komunikimet e administruara në dosje rezulton se personat nën hetim kanë ndërmarrë një sërë veprimesh juridike për zhvillimin e pronave, duke përdorur edhe kontrata dhurimi që dyshohet se synonin të maskonin pronësinë reale dhe të lehtësonin procedurat për sigurimin e lejeve të ndërtimit.
“Të dhënat e dërguara nga autoritetet spanjolle dhe belge tregojnë se personat nën hetim kanë kryer takime me njëri-tjetrin në Spanjë dhe Aruba, si dhe kanë komunikuar për takime me funksionarë të lartë shtetërorë”, thuhet në dosjen hetimore.
Sipas SPAK, një pjesë e planeve të grupit për zhvillimin e pronave është penguar nga sekuestrimi i pasurive dhe procedurat e konfiskimit të nisura nga autoritetet shqiptare. Hetuesit evidentojnë gjithashtu se, pavarësisht këtyre pengesave, grupi ka vijuar përpjekjet për realizimin e projekteve të ndryshme ndërtimore, përfshirë edhe atë që në komunikime përmendet si “Shkolla e Biçikletave”.
Kjo është hera e parë që SPAK konfirmon zyrtarisht ekzistencën e takimit në Aruba, i cili prej vitesh ka qenë objekt raportimesh dhe spekulimesh mediatike.
Më herët, gazetari investigativ italian Nello Trocchia i ka kushtuar një kapitull të veçantë këtij takimi në librin e tij, duke e cilësuar si një nga episodet më domethënëse në ndërthurjen mes biznesit, krimit të organizuar dhe politikës shqiptare.
Sipas dokumenteve hetimore italiane, belge dhe gjermane të cituara prej tij, nga 24 deri më 31 janar 2019 në ishullin karaibik të Arubës u mblodhën figura kyçe të një rrjeti të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe investime në pasuri të paluajtshme. Mes emrave të përmendur ishte edhe Artur Shehu, i cilësuar nga Trocchia si figura qendrore e një sistemi që shtrihet nga aktivitetet kriminale të viteve ’90 deri te investimet multimilionëshe në Shqipëri.



