back to top
22.9 C
Tirana
E diel, 14 Qershor, 2026
spot_img
KreuDrejtësia5 vjet hetime, SPAK goditi biznesmenët e kullave/ 20 emrat e lidhur...

5 vjet hetime, SPAK goditi biznesmenët e kullave/ 20 emrat e lidhur me ndërtimin dhe drogën

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur detaje nga megaoperacioni i zhvilluar këtë të premte në Tiranë dhe disa zona të jugut të vendit, ku u godit një grup i strukturuar kriminal i dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim të produkteve të veprës penale përmes investimeve në sektorin e ndërtimit dhe turizmit.

Sipas SPAK, hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 287/1 të vitit 2021, të regjistruar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.

Mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin nr.31 të datës 10 qershor 2026, ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për 15 persona të dyshuar si pjesë e aktivitetit kriminal.

Në listën e personave ndaj të cilëve është caktuar kjo masë përfshihen Alfredo Hamzai, Ardian Zykaj, Adrian Rama, Artur Shehu, Arben Ismaili, Elton Memeti, Orgest Biçaj, Orest Sota, Dritan Aga, Luçiano Koçeku, Astrit Vladi, Kastriot Vladi, Dino Koçeku, Ervin Koçeku dhe Ilir Shtufi.

Ndërkohë, gjykata ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” për pesë shtetas të tjerë: Gëzim Islami, Leonard Bishaj, Edmond Jaupi, Besnik Myftari dhe Erjon Rama.

SPAK njofton se operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Deri tani janë ekzekutuar katër masa sigurimi, ndërsa vijojnë kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e personave të tjerë të shpallur në kërkim.

Një pjesë e operacionit është shtrirë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Sipas njoftimit zyrtar, autoritetet greke kanë bërë të mundur arrestimin e Ilir Shtufit, ndaj të cilit gjykata shqiptare kishte caktuar masën “Arrest në burg”.

Në kuadër të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, janë ushtruar më shumë se 50 kontrolle në banesa, ambiente biznesi, zyra të shoqërive tregtare dhe tek persona fizikë të lidhur me hetimin.

Sipas SPAK, grupi kriminal dyshohet se ka siguruar të ardhura të konsiderueshme nga trafiku ndërkombëtar i kokainës, të cilat më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, projekte ndërtimi dhe aktivitete të tjera ekonomike me qëllim fshehjen e origjinës së tyre.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e plotë të aseteve, personave të përfshirë dhe rrjetit financiar që dyshohet se ka shërbyer për pastrimin e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat