Protesta kundër qeverisë para Kryeministrisë ka hyrë në ditën e 13-të radhazi, ndërsa mijëra qytetarë janë mbledhur sërish në bulevard për të kërkuar ndryshim politik dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
Tubimi i kësaj të enjteje ka shënuar një rritje të ndjeshme të pjesëmarrjes krahasuar me ditët e para të protestës. Krahas qytetarëve të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, në protestë janë përfshirë edhe emigrantë shqiptarë, të cilët gjatë ditëve të fundit kanë organizuar manifestime mbështetëse në Milano, Firence, Bolonja, Gjenova, Bruksel, Londër dhe Berlin.
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, protestuesit kanë marshuar dhe kanë bërë thirrje për ndryshim, duke bashkuar studentë, të rinj, pensionistë, profesionistë, aktivistë, emigrantë dhe familje të shumta.
Nën sloganet “Revolucion” dhe “Nesër më shumë”, pjesëmarrësit deklaruan se protesta do të vazhdojë deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Organizatorët paralajmëruan gjithashtu një mobilizim më të madh në datën 13 qershor, duke u bërë thirrje edhe shqiptarëve të diasporës që t’i bashkohen protestës.
Gjatë tubimit u dëgjuan thirrje të ndryshme, mes tyre “Rama n’burg, Berisha n’burg”, “Rama ik”, “Atdheu nuk shitet”, “Shqipëri e Re”, “Ju erdhi fundi” dhe “Shqipëria është e jona”.
Para nisjes së fjalimeve, qytetarët mbajtën një minutë heshtje në nder të dëshmorëve të luftës së Kosovës.
Në fjalën e saj, një përfaqësuese e grupit koordinues u bëri thirrje qytetarëve të bojkotojnë mediat që, sipas saj, nuk pasqyrojnë drejt realitetin e protestës, ndërsa falënderoi gazetarët dhe mediat që ndodhen në terren.
Ajo iu drejtua gjithashtu punonjësve të administratës publike, duke deklaruar se shumë prej tyre marrin pjesë në aktivitetet politike të qeverisë për shkak të detyrimit dhe jo bindjes, duke i ftuar t’u bashkohen protestave.
Një tjetër protestues ngriti shqetësime për sistemin e drejtësisë, duke kërkuar hetime ndaj politikanëve që, sipas tij, kanë abuzuar me fondet publike. Ai deklaroi se institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK-un, duhet të vijojnë hetimet pa dallime politike.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit marshuan nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit, duke vijuar thirrjet e tyre kundër klasës politike dhe duke paralajmëruar vazhdimin e protestës edhe në ditët në vijim.



