Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka reaguar lidhur me mungesën e qëndrimit të opozitës për nisjen e gjyqit ndaj Ilir Meta dhe refuzimin për transmetimin publik të seancës.
Në një postim në rrjetet sociale, Spaho shprehet se asnjë drejtues i Partia Demokratike nuk ka reaguar apo protestuar për mënyrën e trajtimit të Metës në gjyq, duke e cilësuar këtë si një shenjë se PD dhe kryetari i saj, Sali Berisha, kanë harruar aleatin e tyre, Partia e Lirisë.
Spaho rikujton disa momente kyçe të bashkëpunimit mes PD dhe LSI (sot Partia e Lirisë), duke theksuar se kjo forcë politike ka ndihmuar demokratët në ardhjen dhe mbajtjen e pushtetit në vitet 2005 dhe 2009. Ai kritikon gjithashtu vendimet e mëvonshme të PD-së, si mosbashkëpunimi në zgjedhjet e 2017 dhe 2021, të cilat sipas tij çuan në rezultate negative për opozitën.
Sipas Spahos, pavarësisht nëse Meta është apo jo fajtor, ai kishte të drejtë për çështjet e ngritura, përfshirë kundërshtimin ndaj mbajtjes “në kafaz” dhe moslejimin e transmetimit publik të gjyqit.
“PD ka harruar aleatin e saj dhe Berisha e ka harruar Metën. Turp i madh,” shkruan ai, duke kritikuar edhe disa deputetë demokratë që, sipas tij, kanë përfituar politikisht nga lidhjet me Metën dhe Partinë e Lirisë.



