back to top
21.5 C
Tirana
E hënë, 4 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitet“Top Channel u bë Top Tunel”/ Berisha sulmon mediat në përballje me...

“Top Channel u bë Top Tunel”/ Berisha sulmon mediat në përballje me gazetarët

Një dalje publike e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shoqëruar me tone të forta dhe përplasje me gazetarët, si për çështjen e masës së sigurisë ndaj tij, ashtu edhe për rolin e mediave në vend.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Berisha u pyet nëse do të paraqiste një kërkesë të re për shuarjen ose ndryshimin e masës së sigurisë. Ai reagoi menjëherë, duke theksuar se një kërkesë e tillë është bërë më herët dhe është refuzuar nga gjykatat.

“Kush të tha? A e ke marrë vesh që unë e kam paraqitur kërkesën dhe ma kanë refuzuar? Unë e zbatoj masën e sigurisë me seriozitet të madh, madje vij këtu dhe bëj konferenca për shtyp”, u shpreh ai, duke kundërshtuar gazetarët që pretendonin se kërkesa nuk ishte depozituar së fundmi.

Më tej, ai shtoi se çështja ka kaluar në disa hallka të sistemit gjyqësor, duke lënë të kuptohet se edhe institucionet më të larta kanë mbajtur të njëjtin qëndrim. “Me sa di unë, edhe atje i kanë përgjigjet e gatshme dhe të menjëhershme për mua”, deklaroi Berisha, duke ngritur dyshime për paanshmërinë e vendimmarrjes.

Debati u ashpërsua më tej kur biseda kaloi te raporti i mediave me politikën. Berisha u bëri thirrje gazetarëve që të mos ndikohen nga pronarët e mediave, duke thënë: “Mos u bëni zëdhënës të pronarëve”.

Kjo deklaratë solli reagim të menjëhershëm nga gazetarët, të cilët i kujtuan se gjatë qeverisjes së tij janë krijuar marrëdhënie me pronarë mediash. Berisha e pranoi se kishte dhënë licenca, duke përmendur edhe televizionin Top Channel, por theksoi se kjo ishte bërë pa paragjykime dhe në respekt të lirisë së medias.

Megjithatë, ai akuzoi një pjesë të mediave për deformim të realitetit, duke përdorur edhe shprehje ironike. “Kur Top Channel-i shndërrohet në ‘Top Tunel’, a është përgjegjësia ime?”, tha ai.

Në vijim, Berisha kritikoi ashpër reformën në drejtësi, duke pretenduar se ajo ka dështuar dhe ka lënë qytetarët pa akses real në gjykata. Sipas tij, proceset gjyqësore zvarriten për vite të tëra dhe qytetarët përballen me kosto të larta dhe vonesa të pajustifikuara.

Ai drejtoi akuza edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar si përgjegjës për situatën në sistemin e drejtësisë dhe për, sipas tij, “korruptimin e gjuhës publike”.

Gjatë deklaratave, Berisha solli edhe shembuj nga sistemi penitenciar, duke pretenduar se ka raste të shumta të paraburgosurve që mbeten për periudha të gjata pa vendime të zbardhura nga gjykatat.

Përballë pyetjeve të gazetarëve që e nxisnin të përqendrohej më shumë te beteja politike me qeverinë, ai u përgjigj se ka qenë dhe mbetet kritik i vazhdueshëm i qeverisë, por shtoi se do të vijojë edhe betejën ndaj asaj që e quajti “deformim i fjalës së lirë”.

Në fund të deklaratës së tij, Berisha citoi filozofin kinez Confucius, duke theksuar: “Kur fjalët humbasin kuptimin, qytetarët kanë humbur lirinë”, mesazh që, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me situatën aktuale të medias dhe diskursit publik në vend.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat