Magjistrati i njohur belg, Michel Claise, ka ngritur sërish alarmin për ndikimin e mafias shqiptare dhe pastrimin e parave në Shqipëri, duke deklaruar se grupet kriminale po përdorin sektorin e hotelerisë dhe ndërtimet në bregdet për të legalizuar fitimet e paligjshme.
Në një intervistë për median belge “21 News”, Claise tha se krimi i organizuar po ushtron presion të madh mbi bregdetin shqiptar, veçanërisht në zonën e Adriatikut.
“Në bregdetin e Adriatikut po pastrohet një sasi e madhe parash nga krimi. Njeriu bën gjithçka për t’u lejuar të ndërtojë diçka. Bregdeti i mrekullueshëm është nën presion”, deklaroi ai.
Ish-gjyqtari belg, i njohur për hetimet ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parave në Belgjikë, ka folur edhe më herët për fuqizimin e mafias shqiptare në Europë. Sipas tij, grupet kriminale shqiptare në Belgjikë janë bërë tashmë po aq të fuqishme sa mafia marokene, e cila prej vitesh ka pasur dominim në botën e krimit atje.
Claise ka publikuar edhe një libër kushtuar mafias shqiptare, ndërsa thotë se e ka hetuar personalisht këtë fenomen dhe njeh nga afër mënyrën sesi funksionojnë rrjetet kriminale.
Në intervistën e fundit, ai komentoi edhe projektin për krijimin e një zyre të posaçme financiare në Belgjikë për luftën kundër mashtrimit, korrupsionit dhe pastrimit të parave.
“Kam shpresuar që ky projekt të realizohet për më shumë se 10 vjet”, tha Claise, duke shtuar se modelet më efikase janë ato me pavarësi të plotë nga politika dhe strukturat tradicionale të prokurorisë.
Ai kritikoi faktin që zyra e re financiare në Belgjikë do të mbetet nën mbikëqyrjen e prokurorisë federale, duke e konsideruar këtë një kufizim për pavarësinë e saj.
“Kur luftohet një fenomen si korrupsioni publik, sa më i pavarur të jetë institucioni, aq më e madhe është garancia që do të ndërmerren veprime”, u shpreh ai.
Deklaratat e Claise vijnë në një kohë kur çështja e pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit dhe turizmit në Shqipëri është kthyer në objekt debatesh të forta politike dhe ekonomike.



