KreuAktualitetPolitikaRama nuk heq dorë nga projekti i Zvërnecit

Rama nuk heq dorë nga projekti i Zvërnecit

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur qëndrimin e tij se projekti i parashikuar në zonën e Zvërnecit do të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Europian, duke e konsideruar këtë një kusht të pandryshueshëm në kuadër të procesit të integrimit.

Gjatë konferencës së përbashkët me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, Rama u shpreh se respektimi i standardeve europiane nuk është një zgjedhje politike, por një detyrim për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“Si mund të bëjmë një projekt me peizazh natyror dhe të mos respektojmë standardet e BE-së? Kemi vetëm një rrugë. Të ecim drejt integrimit. Nuk kemi alternativë tjetër. E kam thënë dhe e përsëris për të gjithë ata që mendojnë ndryshe. Evropa është e vetmja familje ku ne duhet të bëjmë pjesë”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se procesi i integrimit kërkon reforma dhe përshtatje me standardet europiane, duke e krahasuar këtë proces me përvoja të vendeve të tjera që, sipas tij, kanë dalë më të forta pas reformimit institucional.

“Procesi sjell tensione dhe vështirësi, por në fund kthehet në sukses për shoqëritë që e përfundojnë. Edhe ne duhet të kalojmë këtë rrugë. Pa këtë proces nuk ka përfitime”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi gjithashtu se projekti në Zvërnec nuk synon dëmtimin e mjedisit, por zhvillimin e një modeli të ri turizmi, në bashkëpunim me investitorët ndërkombëtarë.

“Projekti nuk është për të shkatërruar biodiversitetin apo për të hedhur beton. Synimi ynë është të krijojmë një model zhvillimi që mund të shërbejë si referencë”, tha ai.

Duke komentuar debatet publike dhe kritikat ndaj projektit, Rama u shpreh me tone ironike ndaj kundërshtarëve të tij, duke përmendur edhe aktivistë mjedisorë.

“E vetmja gjë që mund të bëjnë është të shkatërrojnë nervat dhe imazhin e disa aktivistëve që kundërshtojnë projektin, por jo ta ndalin zhvillimin”, u shpreh ai.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur projekti i Zvërnecit ka ngjallur debat publik për ndikimin e tij mjedisor dhe ekonomik, ndërsa qeveria e konsideron atë një nga investimet më të rëndësishme turistike në vend.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat