Pas mesazhit të fortë të publikuar në rrjetet sociale nga deputetja Marjana Koçeku, ku ajo iu drejtua familjes Bajraj në Shkodër duke lënë të kuptohet se ajo dhe të afërmit e saj mund të jenë përballur me kërcënime, Policia e Shkodrës ka reaguar lidhur me këtë çështje.
Sipas informacionit të siguruar nga A2, autoritetet policore kanë bërë të ditur se deri më tani nuk ekziston asnjë kallëzim i depozituar nga deputetja apo familjarët e saj.
“As Marjana Koçeku dhe as familjarët e saj nuk kanë bërë denoncim për kërcënim në polici”, citohet të ketë deklaruar Policia e Shkodrës.
Pak më herët, deputetja publikoi një mesazh në rrjetet sociale, ku paralajmëronte se do të reagonte ashpër nëse familjarëve të saj do t’u ndodhte diçka.
“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, shkroi Koçeku.
Deklarata e saj vjen vetëm pak ditë pasi deputetja e zgjedhur në qarkun e Shkodrës vendosi të largohej nga Partia Socialiste dhe të vijonte mandatin si deputete e pavarur, një lëvizje që ka shkaktuar debat në radhët e socialistëve.
“Nëse familjes sime i preket një qime floku…”/ Koçeku mesazh ndaj Bajrave të Shkodrës



