Një memorandum me 14 pika synon të vendosë bazat e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Shteteve të Bashkuara dhe Republikës Islamike të Iranit, duke synuar transformimin e armëpushimit në një proces të strukturuar dhe të qëndrueshëm.
Sipas Bloomberg, i cili ka siguruar dhe publikuar një kopje të dokumentit, drafti pritet të shërbejë si bazë për bisedimet e rezervuara mes palëve dhe për përcaktimin e fazës pas përfundimit të konfliktit.
Dokumenti parashikon shpalljen e menjëhershme dhe të përhershme të përfundimit të luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, si dhe angazhimin e ndërsjellë për të mos kryer më veprime armiqësore dhe për të respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit.
Një nga pikat kryesore të memorandumit është angazhimi për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare brenda 60 ditëve, afat që mund të zgjatet vetëm me pëlqimin e të dyja palëve.
Drafti parashikon gjithashtu heqjen graduale të bllokadës detare ndaj Iranit, rikthimin e qarkullimit normal të anijeve tregtare, tërheqjen e forcave amerikane nga rajoni, si dhe një plan ekonomik për rindërtimin dhe zhvillimin e Iranit, me një financim minimal prej 300 miliardë dollarësh.
Në kuadër të marrëveshjes, SHBA do të angazhohej për heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj Teheranit, përfshirë ato të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe masat e njëanshme amerikane, ndërsa Irani do të ritheksonte zotimin e tij se nuk do të prodhojë armë bërthamore.
Në periudhën tranzitore, Teherani do të ngrinte programin e tij bërthamor në gjendjen aktuale, ndërsa Uashingtoni do të hiqte dorë nga vendosja e sanksioneve të reja dhe nga rritja e pranisë ushtarake në rajon.
Memorandumi parashikon gjithashtu lehtësimin e eksporteve të naftës iraniane, lirimin e aseteve të ngrira të Republikës Islamike dhe krijimin e një mekanizmi të posaçëm për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes.
Sipas dokumentit, marrëveshja përfundimtare do të duhet të miratohet përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.



