KreuDrejtësiaKryeprokurori i ri/ Si shpëtoi nga SPAK-u kandidati që synon kreun e...

Kryeprokurori i ri/ Si shpëtoi nga SPAK-u kandidati që synon kreun e akuzës

Gara për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme është hapur nga KLP, pasi mandati i drejtuesit aktual Olsian Çela është drejt përfundimit.

Një nga emrat që është hedhur në media, si kandidat për Prokuror të Përgjithshëm është prokurori Ylli Pjetërnikaj.

Kujtojmë se ndaj tij është zhvilluar një proces i gjatë dhe i debatueshëm vetingu, i cili ka përfshirë përplasje mes institucioneve të drejtësisë dhe vlerësime të ndryshme mbi pasurinë dhe profesionalizmin e tij.

Pse SPAK kërkonte shkarkimin e Pjetërnikajt?

Më 29 shtator 2025, në emër të drejtuesit të SPAK Altin Dumani, përfaqësuesi i institucionit Klodian Braho kërkoi në Komisionin e Posaçëm të Apelit shkarkimin e prokurorit Pjetërnikaj, duke paraqitur një sërë shkaqesh që lidhen kryesisht me kriterin e pasurisë dhe atë profesional.

Sipas SPAK, subjekti nuk ka arritur të provojë në mënyrë bindëse ligjshmërinë e burimeve financiare të deklaruara, veçanërisht në lidhje me një gjendje cash të deklaruar në vitin 2013 në vlerën 20 milionë lekë, që pretendohet se ka origjinë nga aktiviteti familjar bujqësor dhe blegtoral.

Gjithnjë, sipas qëndrimit të SPAK, analiza financiare e kryer mbi periudhën 2008–2013 tregon se të ardhurat e familjes së subjektit, të deklaruara në masën rreth 7.6 milionë lekë, janë dukshëm më të ulëta se kursimet e pretenduara. Institucioni ka vënë në dyshim edhe ekzistencën dhe realitetin e të ardhurave të fermës familjare, duke theksuar se mungon dokumentacioni që provon në mënyrë të plotë masën e tyre dhe rrjedhimisht edhe burimin e kursimeve të deklaruara.

Në të njëjtën linjë, SPAK ka ngritur pretendime për pasaktësi në deklarimet e pasurisë, përfshirë ndryshime në përqindjen e deklaruar të kursimeve cash, mosdeklarimin e një huaje të dhënë në vitin 2013 dhe kthyer në vitin 2016, si dhe paqartësi në përdorimin e likuiditeteve. Po ashtu, është vënë në dukje edhe marrja e një kredie në vitin 2014, pavarësisht pretendimeve për disponim të konsiderueshëm të kursimeve cash në atë periudhë.

Në vlerësimin e përfaqësuesit të SPAK, zbatimi i parimit të proporcionalitetit nga Komisioni i vetingut nuk ka qenë i drejtë, pasi nuk është marrë parasysh mungesa e provueshmërisë së të ardhurave dhe kontradiktat në deklarime. Sipas këtij qëndrimi, subjekti ndodhet në kushte të deklarimit të pasaktë dhe pamundësisë për të justifikuar pasurinë e deklaruar.

Dëshmia e Pjetërnikajt

Në kundërpërgjigje, prokurori Ylli Pjetërnikaj ka kundërshtuar të gjitha pretendimet, duke deklaruar se pasuritë në fjalë nuk janë krijuar prej tij, por nga familja e origjinës në një aktivitet bujqësor të zhvilluar prej dekadash në Tropojë. Ai ka shpjeguar se në periudhën kur janë krijuar investimet kryesore, ai ka qenë i mitur ose student dhe nuk ka pasur asnjë rol në administrimin e pasurisë familjare.

Sipas tij, ferma familjare ka funksionuar që në fillim të viteve ’90 dhe ka përfshirë aktivitet blegtoral dhe bujqësor me një numër të konsiderueshëm bagëtish, ndërsa të ardhurat janë dokumentuar përmes regjistrave veterinarë, të dhënave administrative dhe përfitimeve nga skemat mbështetëse bujqësore. Ai ka pretenduar se aktiviteti ka gjeneruar të ardhura të ligjshme në vijimësi, të cilat justifikojnë plotësisht kursimet e deklaruara nga familja.

Përplasje edhe në KPK

Në këtë proces, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me 27 prill 2023 vendosi konfirmimin e tij në detyrë me shumicë votash, duke aplikuar parimin e proporcionalitetit për gjetjet në kriterin e pasurisë dhe duke vlerësuar se subjekti kishte arritur nivel të besueshëm në kriterin e figurës dhe atë profesional.

Vendimi i KPK- së

Megjithatë, pakica e trupës kishte kërkuar shkarkimin e tij, duke argumentuar mungesë të burimeve të ligjshme dhe deklarime të pasakta.

Mendimi i Pakicës KPK

Çështja u ankua më tej nga Komisioneri Publik, duke u mbështetur më vonë edhe nga SPAK në qëndrimin e tij, me argumentin se analiza financiare nuk mbështet përfundimet e KPK-së dhe se nuk provohet realisht burimi i pasurisë së deklaruar. Në këtë fazë, u theksua gjithashtu se disa pasuri të krijuara nga familjarët e subjektit, përfshirë një apartament në Tiranë të blerë nga vëllai i tij, janë realizuar me burime që mbeten të diskutueshme dhe të lidhura me të ardhurat familjare ndër vite.

Ankimi nga IKP

Argumentet e SPAK-ut

Në analizën e tij, drejtuesi i SPAK ka vlerësuar se edhe nëse merret parasysh periudha e kufizuar e hetimit financiar, sërish rezulton një pamjaftueshmëri e dukshme mes të ardhurave dhe shpenzimeve të deklaruara, duke ngritur dyshime mbi besueshmërinë e deklarimeve. Po ashtu, është theksuar edhe fakti se vëllai i subjektit, me të cilin ai ka jetuar në Tiranë, konsiderohet person i lidhur dhe për rrjedhojë pasuritë e tij duhet të justifikohen në mënyrë të tërthortë.

Megjithatë, në seancat dhe shqyrtimet përfundimtare në KPA, qëndrimet e palëve kanë marrë drejtime të ndryshme. Në vendimin e datës 17 tetor 2025, KPA ka vendosur pushimin e gjykimit të çështjes, duke konstatuar se ankimi kishte humbur objektin, pasi vendimi i KPK-së kishte marrë formë të prerë. Pasi, prokurori Klodian Braho paraqiti kërkimin e drejtuesit të SPAK, për lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të prokurorit Ylli Pjetërnikaj.

Sipas Kolegjit, vijimi i shqyrtimit në mungesë të objektit do të cenonte procesin e rregullt ligjor.

Në këtë mënyrë, konfirmimi në detyrë i prokurorit Ylli Pjetërnikaj mbeti në fuqi, duke i dhënë fund një procesi të gjatë vetingu të shoqëruar me debate të forta mbi interpretimin e provave, burimeve financiare dhe standardeve të proporcionalitetit në rivlerësimin e magjistratëve.

Në aspektin profesional, Pjetërnikaj ka shërbyer në disa prokurori të vendit, përfshirë Kukësin, Shkodrën, Lezhën dhe Tiranën, ndërsa është angazhuar edhe në mësimdhënie akademike dhe aktualisht vijon aktivitetin si pedagog pranë Shkolla e Magjistraturës.

E Vërteta.al

30 ditë afat për Prokurorin e Përgjithshëm/ KLP hap procedurat

Kandidate për Prokurore të Përgjithshme?/ Gruaja që goditi call center-at e 50 milionë eurove

Gara për kryeprokurorin e ri/ Kandidatët që synojnë vendin e Olsian Çelës

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat