Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se grupi parlamentar i PD-së nuk do të bashkojë votat me mazhorancën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, duke theksuar se opozita ka ndërprerë çdo bashkëpunim me Partinë Socialiste për përzgjedhjen e emrave në institucionet e pavarura.
Në një deklaratë për mediat pas paraqitjes në SPAK, në kuadër të dosjes “Partizani”, Berisha tha se vendimi vjen pas mënyrës se si u zhvillua procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
“Ne nuk marrim pjesë në përzgjedhje emrash. Pas aktit të tyre me Avokatin e Popullit, kemi ndërprerë çdo lloj bashkëpunimi me PS në përzgjedhjen e emrave”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha u ndal edhe te institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm, duke argumentuar se atij i janë hequr pothuajse të gjitha kompetencat kushtetuese dhe se kjo situatë duhet të rishikohet.
“Sot Prokurori i Përgjithshëm është institucioni më i zhveshur nga çdo kompetencë. Kur dëgjoj raportet e tij, flet sikur është drejtori i statistikave të policisë. Është një zhveshje e gabuar që i kanë bërë, sepse është institucion kushtetues dhe nuk mund të reduktohet vetëm në paraqitjen e statistikave”, deklaroi ai.
Por pavarësisht qëndrimit të opozitës, Partia Socialiste, e cila ka shumicën në Kuvend, i ka vetë votat e nevojshme për të miratuar zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm edhe pa mbështetjen e Partisë Demokratike.
Kërkesa për 3/5 e votave në Kuvend e bën procesin politikisht të rëndësishëm, por mazhoranca nuk është e detyruar të sigurojë domosdoshmërisht votat e opozitës, pasi disponon numrat për të arritur shumicën e kërkuar.
Në këtë mërnyre, deklaratat e Berishës për mospjesëmarrje në proces shihen më shumë si një qëndrim politik ndaj mazhorancës, ndërsa zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm mbetet në dorën e Kuvendit dhe të shumicës parlamentare.



