Punonjësit e Bashkisë Rrogozhinë kanë bojkotuar këtë të hënë punën në shenjë proteste ndaj propozimit për shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Kavajës.
Punonjësit kundërshtojnë reformën e propozuar nga Partia Socialiste, duke deklaruar se Rrogozhina duhet të vijojë të jetë një bashki më vete, pasi sipas tyre rrezikon të humbasë identitetin dhe autonominë lokale.
Ata shprehen se ndihen të zhgënjyer nga drejtuesit e Partisë Socialiste dhe kërkojnë që të rishikohet vendimi për riorganizimin territorial.
“Bashkisë Rrogozhinë po i bëhet një padrejtësi shumë e madhe. Ne i plotësojmë të gjitha kriteret për të qëndruar si bashki, si për burimet njerëzore ashtu edhe për ato financiare. Sot kemi një bashki me 43 mijë banorë dhe qytetarët janë kundër kësaj reforme”, u shpreh një prej punonjësve.
Sipas tyre, Rrogozhina nuk është krijuar si bashki vetëm pas reformës administrative të vitit 2015, por ka një histori të gjatë si njësi vendore. Ata kundërshtojnë bashkimin me Kavajën, duke pretenduar se të dhënat e përdorura për reformën nuk pasqyrojnë realitetin e kësaj bashkie.
Një tjetër punonjës i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, që të rishikojnë propozimin.
“Pavarësisht problemeve që mund të ketë Bashkia Rrogozhinë, kjo protestë organizohet për shërbimet ndaj qytetarëve që i kryen vetë bashkia. Bashkia e Kavajës nuk mund ta zgjidhë këtë situatë”, deklaroi ai.
Punonjësit kërkojnë që Rrogozhina të trajtohet si një aset dhe që vendimmarrja për të ardhmen e saj të merret duke marrë parasysh interesin e qytetarëve dhe ruajtjen e identitetit të zonës.



