Pas më shumë se një dekade pa pranuar asnjë shtet të ri, Bashkimi Evropian po përballet me presion në rritje për t’i dhënë një shtysë të re procesit të zgjerimit. Zhvillimet gjeopolitike, sidomos pas luftës në Ukrainë, e kanë kthyer anëtarësimin e vendeve kandidate në një çështje që lidhet jo vetëm me integrimin politik dhe ekonomik, por edhe me sigurinë e kontinentit.
Megjithëse Brukseli ka përsëritur angazhimin për zgjerimin, brenda vendeve anëtare vijojnë debatet mbi gatishmërinë e Bashkimit për të pranuar anëtarë të rinj. Nga njëra anë, vendet kandidate kërkojnë përshpejtimin e negociatave, ndërsa nga ana tjetër disa qeveri evropiane shprehin rezerva për ndikimin që një zgjerim i ri mund të ketë te funksionimi i bllokut.
Mali i Zi mbetet vendi më i avancuar në rrugën drejt anëtarësimit. Ai ka përmbushur më shumë se gjysmën e reformave të kërkuara dhe institucionet evropiane kanë nisur përgatitjet për fazat e ardhshme të procesit, duke e përfshirë vendin edhe në disa plane financiare të BE-së.
Ndërkohë, Ukraina dhe Moldavia kanë hapur zyrtarisht negociatat për anëtarësim, ndërsa edhe Shqipëria ka shënuar përparim në procesin e integrimit, me hapjen e kapitujve të negociatave dhe vijimin e reformave të kërkuara nga Brukseli.
Në një intervistë për Financial Times, kryeministri Edi Rama u shpreh optimist për ecurinë e vendit drejt Bashkimit Evropian, duke deklaruar se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit dhe se rruga drejt anëtarësimit është tashmë e qartë.
Megjithatë, jo të gjitha vendet kandidate ndajnë të njëjtin optimizëm. Disa prej tyre kanë shprehur dyshime nëse premtimet për zgjerim do të konkretizohen, ndërsa diskutimet për një integrim gradual ngjallin shqetësime se mund të krijohet një Bashkim Evropian me disa nivele anëtarësimi.
Në Ballkanin Perëndimor, përveç Malit të Zi dhe Shqipërisë, procesi ka ecur më ngadalë për Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën.
Edhe pse mbështetja politike për zgjerimin është rritur vitet e fundit, veçanërisht pas agresionit rus ndaj Ukrainës, zyrtarë evropianë pranojnë se vendet më të avancuara janë ende disa vite larg anëtarësimit të plotë. Megjithatë, brenda BE-së po shtohen zërat që kërkojnë vendime më konkrete për të mos e lënë procesin e zgjerimit vetëm në nivel deklaratash.



