KreuAktualitetPolitikaPD kundër rregullores së GJKKO-së/ "Po kufizohet puna e gazetarëve"

PD kundër rregullores së GJKKO-së/ “Po kufizohet puna e gazetarëve”

Partia Demokratike ka shprehur shqetësim për rregulloren e re të miratuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke vlerësuar se disa prej dispozitave të saj mund të kufizojnë punën e gazetarëve dhe transparencën ndaj publikut.

Përmes një reagimi të zëdhënëses Floriana Garo, PD thekson se mbështet pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe zhvillimin normal të proceseve gjyqësore, por nënvizon se kjo nuk duhet të shërbejë si arsye për të kufizuar informimin e publikut.

“Solemniteti i proceseve gjyqësore nuk mund të shndërrohet në censurë dhe pavarësia e drejtësisë nuk mund të nënkuptojë mungesë të kontrollit publik”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.

Sipas opozitës, një nga pikat që ngre më shumë shqetësim është kërkesa që gazetarët të aplikojnë paraprakisht për të ndjekur seancat gjyqësore, si edhe kufizimet për përdorimin e telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike në ambientet e gjykatës.

PD argumenton se këto pajisje janë mjete të domosdoshme pune për gazetarët, pasi u shërbejnë për komunikimin me redaksitë, mbajtjen e shënimeve dhe raportimin në kohë reale.

Demokratët kanë shprehur rezerva edhe për sistemin e parashikuar “media pool”, sipas të cilit pamjet nga proceset me interes të lartë publik do të shpërndahen përmes infrastrukturës së vetë gjykatës. Sipas tyre, ky mekanizëm duhet të garantojë trajtim të barabartë për të gjitha mediat dhe të mos krijojë mundësi për kontroll mbi informacionin që publikohet.

Në reagim ngrihen gjithashtu shqetësime për formulime të rregullores që, sipas PD-së, lënë vend për interpretime të gjera, siç është koncepti i “cenimit të dinjitetit”, i cili mund të shoqërohet me masa disiplinore, përfshirë pezullimin ose heqjen e akreditimit të gazetarëve.

Partia Demokratike kërkon që rregullorja të garantojë një ekuilibër mes sigurisë së proceseve gjyqësore dhe të drejtës së medias për të informuar publikun, duke theksuar se transparenca mbetet një element thelbësor i funksionimit të shtetit të së drejtës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat