KreuAktualitetEkonomiaTabaku: Paratë e krimit dhe korrupsionit po fryjnë çmimet e banesave në...

Tabaku: Paratë e krimit dhe korrupsionit po fryjnë çmimet e banesave në Tiranë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin për rritjen e kostos së jetesës dhe çmimet e banesave, duke argumentuar se familjet shqiptare po përballen me një barrë gjithnjë e më të rëndë financiare.

Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku thotë se një apartament standard në Tiranë kushton sot sa 18 deri në 20 vite të ardhura të plota të një familjeje.

Sipas saj, kjo shifër nuk nënkupton 20 vite të një jete normale, pasi gjatë kësaj periudhe familjet duhet të përballojnë edhe shpenzimet për ushqime, shëndetësi, arsimimin e fëmijëve dhe kujdesin për prindërit.

“Jo 20 vite jetë normale, por 20 vite të ardhura të plota, sikur familja të mos kishte për të paguar ushqimin, shëndetin, shkollimin e fëmijëve apo kujdesin për prindërit”, shkruan Tabaku.

Deputetja e PD-së e sheh situatën si problem edhe për familjet që nuk synojnë blerjen e një banese, por jetojnë me qira. Sipas saj, një familje me dy paga mesatare mund të shpenzojë rreth 40% të të ardhurave bruto dhe pothuajse gjysmën e të ardhurave neto vetëm për qiranë e një apartamenti.

Në të njëjtën kohë, Tabaku thotë se ushqimet bazë përbëjnë rreth 40% të buxhetit të konsumit.

“Çfarë mbetet për kujdesin shëndetësor, për fëmijët, për prindërit e moshuar, për kursimet apo për disa ditë pushime familjare? Pothuajse asgjë”, shprehet ajo.

Por për deputeten demokrate, problemi nuk lidhet vetëm me rritjen e çmimeve. Tabaku e lidh krizën e përballueshmërisë edhe me mënyrën se si funksionon tregu shqiptar, duke akuzuar qeverinë për tolerimin e monopoleve, informalitetit dhe klientelizmit.

“E gjithë kjo nuk ka të bëjë aspak me një treg të lirë që drejtohet nga kërkesa dhe oferta. Shqipëria e këtij sistemi socialist është një treg i deformuar nga informaliteti, monopolet, klientelizmi dhe mungesa e konkurrencës së ndershme”, deklaron Tabaku.

Një pjesë tjetër e reagimit të saj lidhet me tregun e pasurive të paluajtshme. Tabaku ngre pretendimin se paratë që burojnë nga krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të banesave dhe kanë deformuar tregun e pasurive të paluajtshme.

Sipas saj, kjo situatë po ndryshon edhe mënyrën se si zhvillohet Tirana, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë blerjen e një banese për familjet me të ardhura të zakonshme.

Tabaku e vendos përgjegjësinë politike për këtë situatë te qeverisja socialiste. Sipas saj, politikat ekonomike kanë krijuar privilegje për një pakicë, ndërsa barra e taksave dhe e kostos së jetesës rëndon kryesisht mbi familjet dhe shtresën e mesme.

“Familjet shqiptare shpenzojnë 80% të të ardhurave të tyre për ushqimet dhe qiranë, ndërsa duhet të japin vlerën e 20 viteve të ardhura për një apartament prej 70 metrash katrorë”, shkruan deputetja.

Në përfundim, Tabaku e cilëson situatën si një problem që prek jo vetëm ekonominë e familjeve, por edhe të ardhmen e vendit.

“Ky sistem po shkatërron të ardhmen e vendit dhe po e bën gjithnjë e më të pamundur jetën e familjeve shqiptare”, përfundon ajo.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat