Ministria e Arsimit ka njoftuar rihapjen e regjistrimeve në platformën e-Albania për nxënësit që ende nuk kanë përfunduar procedurat e regjistrimit për vitin e ri shkollor.
Sipas njoftimit të ministrisë, sistemi është rihapur dhe do të qëndrojë i hapur deri më 7 shtator 2026.
Aplikimet janë të vlefshme për nxënësit që do të regjistrohen në klasën e parë dhe klasën e dhjetë, si edhe për ata që synojnë të regjistrohen në shkollat artistike dhe sportive.
Ministria u bën thirrje prindërve dhe nxënësve që të mos e lënë procedurën për në ditët e fundit dhe ta përfundojnë regjistrimin brenda afatit të përcaktuar.
“Prindër dhe nxënës, mos e humbisni këtë afat dhe përfundoni regjistrimin brenda periudhës së përcaktuar në mënyrë që të mos rrezikojmë regjistrimin në shkollë!”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
Rihapja e sistemit synon t’u japë një mundësi të fundit nxënësve që nuk kanë arritur të kryejnë regjistrimin në afatin e parë.



