KreuDrejtësiaPagat/ Magjistratët refuzojnë Ramën

Pagat/ Magjistratët refuzojnë Ramën

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Ftesa e kryeministrit Edi Rama për një tryezë konsultimi mbi skemën e re të pagave të magjistratëve është refuzuar nga institucionet dhe shoqatat e sistemit të drejtësisë.

Gjykata e Lartë, GJKKO, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në tryezën e parashikuar për 28 shtatorin, me argumentin se çështja e pagave tashmë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në përgjigjen drejtuar Kryeministrisë, argumenton se në kushtet kur çështja është tashmë për shqyrtim në Kushtetuese, diskutimi me qeverinë do të ishte i parakohshëm.

“Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Lartë.

Edhe GJKKO ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në takim.

“Ditën e premte, më datë 25.09.2026, GJKKO i ka kthyer përgjigje zyrtare që nuk do të marrë pjesë në takim pasi është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në reagimin e gjykatës.

Në të njëjtën linjë janë edhe organizatat përfaqësuese të gjyqtarëve.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka njoftuar se pjesëmarrja në tryezën e 28 shtatorit nuk është e mundur deri në përfundimin e procesit në Kushtetuese.

“Deri në një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me padinë e paraqitur nga shoqatat e magjistratëve, është e pamundur për ne pjesëmarrja në tryezën e konsultimit të datës 28 shtator 2026”, thuhet në përgjigjen e Unionit.

Edhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve vlerëson se diskutimi me qeverinë duhet të presë përfundimin e procesit kushtetues.

“Shoqata vlerëson se nuk do të ishte e përshtatshme pjesëmarrja e saj në një diskutim institucional mbi të njëjtën çështje përpara përfundimit të këtij procesi”, thekson ajo.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Shoqata e Prokurorëve, e cila kërkon që tryeza të shtyhet deri në një qëndrim të Gjykatës Kushtetuese.

“Duke pasur parasysh se çështja objekt i konsultimit lidhet drejtpërdrejt me një proces kushtetues të iniciuar nga shoqatat e magjistratëve pranë Gjykatës Kushtetuese, kërkojmë që një tryezë e tillë të vlerësohet të zhvillohet pas një qëndrimi të Gjykatës Kushtetuese mbi çështjen”, thuhet në përgjigje.

Refuzimi i tryezës vjen pas përplasjes së muajve të fundit mes magjistratëve, qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë për mënyrën e përcaktimit të pagave.

Shoqatat e magjistratëve kanë kundërshtuar formulën e miratuar nga shumica, ndërsa KLGJ dhe KLP morën vendime të posaçme për nivelin e pagave të muajit gusht, duke iu referuar vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese.

Ministria e Financave nuk miratoi veprimet e Thesarit për kalimin e pagave sipas këtyre vendimeve, duke e çuar përplasjen në një tjetër nivel. Magjistratët më pas kallëzuan në SPAK ministrin e Financave, ndërsa çështja u dërgua edhe në gjykatën administrative, e cila urdhëroi anulimin e vendimit të ministrit dhe kalimin e pagave për gjykatat dhe prokuroritë në të gjithë vendin.

Ndërkohë, më 18 shtator, Kuvendi miratoi me 84 vota formulën e re të pagave. Sipas saj, paga referuese e magjistratëve përcaktohet në masën 38% të pagës së Presidentit të Republikës, nga 36% që ishte më parë, duke sjellë një rritje prej rreth 8500 lekësh.

Por kjo formulë është kundërshtuar nga shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vetëm tre ditë pas miratimit në Kuvend, më 21 shtator, ato iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për pezullimin e formulës së re dhe shfuqizimin e saj.

Në këto kushte, institucionet e drejtësisë kanë zgjedhur të mos ulen në tryezën e thirrur nga kryeministri, duke e lidhur çdo diskutim të mëtejshëm për pagat me vendimin që do të marrë Gjykata Kushtetuese.

Megjithatë, në përgjigjet e tyre, magjistratët theksojnë se refuzimi i tryezës nuk nënkupton mbylljen e dialogut institucional me qeverinë, por kërkesën që ky dialog të zhvillohet pasi të jetë përcaktuar kuadri kushtetues për pagat.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat