Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ndryshimet që qeveria propozon në Kodin e Procedurës Penale për mënyrën e caktimit të masave të sigurisë.
Rama tha se arresti me burg duhet të përdoret vetëm si alternativa e fundit, ndërsa gjykatat duhet të nisin shqyrtimin nga masat më të buta, përfshirë arrestin në shtëpi.
Sipas propozimit të bërë publik nga kryeministri, për veprat penale që parashikojnë një dënim maksimal nën 5 vjet, nuk do të caktohet më masa e arrestit me burg.
Rama kërkoi gjithashtu që heshtja e një personi apo mospranimi i akuzës të mos konsiderohen si tregues të rrezikshmërisë.
“Procesi penal duhet të nisë nga zona e lirisë dhe jo nga burgu si zanafillë. Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme”, deklaroi Rama.
Ai tha se rreziku duhet të jetë konkret dhe se gjykata duhet të bëjë një vlerësim të pavarur të çdo rasti.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu përgjegjësi disiplinore për gjyqtarët në rastet kur vendimet për masat e sigurisë thjesht kopjojnë argumentet e prokurorisë.
Një tjetër ndryshim i propozuar lidhet me garancinë pasurore. Sipas Ramës, sa herë që caktohet një masë arresti, gjykata duhet të shqyrtojë edhe mundësinë e garancisë pasurore.
Ndërkohë, prokurorit do t’i kërkohet të raportojë përpara gjykatës nëse arsyet që kanë çuar në caktimin e masës së sigurisë vazhdojnë të ekzistojnë dhe të argumentojë në mënyrë konkrete nevojën për vijimin e saj.



