Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Partia Demokratike ka reaguar ashpër ndaj paketës së re të ndryshimeve në legjislacionin penal, duke e lidhur atë me mënyrën se si qeveria e Edi Ramës ka trajtuar ndër vite çështjen e paraburgimit dhe arrestimit.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzon kryeministrin se ndryshimet e propozuara nuk janë thjesht një reformim i rregullave penale, por një ndërhyrje që, sipas tij, mund t’i shërbejë vetë zyrtarëve të mazhorancës në përballjen me drejtësinë.
Qeveria ka nisur procedurën për hartimin e një Kodi të ri Penal dhe ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, duke e paraqitur procesin si pjesë të reformimit të politikës penale dhe përafrimit me standardet europiane.
Në reagimin e tij, Bardhi e lidh këtë paketë me historikun e përdorimit të masave të arrestit gjatë qeverisjes socialiste.
Sipas tij, Rama ka përdorur prej vitesh burgun si përgjigje ndaj problemeve sociale, duke përmendur ndërhyrjet penale për ndërtimet pa leje, energjinë elektrike, punën në të zezë dhe masat e marra gjatë pandemisë COVID-19.
Bardhi rikthen në vëmendje edhe operacionin kundër vjedhjes së energjisë, gjatë të cilit në muajt e parë u arrestuan qindra persona. Në reagimin e tij, ai përmend edhe rastin e Qamil Zelës, i cili sipas Bardhit qëndroi në paraburgim për një borxh të energjisë dhe më pas u vetëvra në qeli.
Deputeti demokrat thotë se problematika e përdorimit të tepruar të paraburgimit nuk është e re dhe se autoritetet shqiptare kanë marrë prej vitesh rekomandime europiane për përdorimin e kësaj mase vetëm si mjet të fundit.
Rama ndryshoi qëndrim pas arrestimit të Veliajt
Pjesën më të fortë të reagimit të tij Bardhi e lidh me arrestimin e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Më 12 shkurt 2025, pak ditë pas arrestimit të Veliajt nga SPAK, Edi Rama deklaroi publikisht se arrestimi ishte një “burgosje pa gjyq” dhe se, sipas tij, gjykimi mund të vijonte në gjendje të lirë.
Në atë kohë, Rama theksoi se kritikat e tij kishin të bënin me standardet e masave të sigurisë dhe jo me fajësinë apo pafajësinë e Veliajt, duke deklaruar se këtë të fundit duhet ta vendoste drejtësia.
Gjykata e Posaçme, megjithatë, vendosi më 12 shkurt 2025 që Veliaj të vijonte hetimin në masën “arrest në burg”. Në arsyetimin e saj u përmendën, ndër të tjera, rreziku i ndikimit mbi provat dhe dëshmitarët.
Edhe sot Veliaj vijon të jetë në burg. Në shtator 2026, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm për masën e sigurisë.
Duke iu referuar pikërisht këtij zhvillimi, Bardhi pretendon se qeveria po ndryshon rregullat në një moment kur disa prej figurave të saj janë përballur me hetimet e SPAK.
Në reagimin e tij ai përmend emra si Erion Veliaj, Ergys Agasi dhe Belinda Balluku, duke pretenduar se ndryshimet mund të kenë lidhje me interesat e mazhorancës.



