Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Qeveria po shqyrton mundësinë e krijimit të një Bordi të Përhershëm të Transparencës për tregun e hidrokarbureve, me qëllim monitorimin e çmimeve dhe garantimin që ulja e taksës së qarkullimit të reflektohet te konsumatorët.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë për Paketën Fiskale 2027. Sipas tij, një nga mekanizmat që po shqyrtohet është monitorimi i tregjeve oligopol, ku përfshihet edhe tregu i karburanteve.
“Po mendojmë për një monitorim të tregjeve oligopol siç është tregu i hidrokarbureve, që do të monitorohet për reflektimin e uljes së taksës së qarkullimit me 32.4 lekë. Po diskutohet nëse do të ketë një Bord Transparence permanent për të monitoruar çmimet e hidrokarbureve”, deklaroi Malaj.
Kontrolle të shtuara pritet të ketë edhe në tregun ushqimor. Ministri tha se qeveria do të monitorojë çmimet e 54 produkteve, për të cilat parashikohet ulja e TVSH-së nga 20% në 6%, duke nisur nga janari i vitit 2027.
Malaj bëri të ditur se për këtë qëllim do të përdoret edhe teknologjia, për të ndjekur çmimet nga prodhuesit dhe importuesit deri në tregun e shitjes.
“Paralelisht po përdorim edhe teknologjinë për të analizuar çmimet nga prodhuesi, importuesi në treg, për të parë çmimet, që të reflektohet TVSH-ja”, tha ministri.
Gjatë diskutimeve, Malaj hodhi poshtë pretendimet se rritja e TVSH-së standarde nga 20% në 21% do të sjellë më shumë të ardhura sesa humbjet që krijon ulja e TVSH-së për produktet ushqimore.
Sipas tij, rritja e TVSH-së standarde pritet të sjellë 10.6 miliardë lekë në buxhet, ndërsa ulja e TVSH-së për produktet e shportës do të krijojë një efekt negativ prej 12.8 miliardë lekësh.
Ndërkohë, Bordi i Transparencës ka vendosur ndryshime të reja në çmimet e karburanteve, duke rritur çmimin e naftës dhe ulur atë të benzinës.
Sipas vendimit të datës 4 nëntor 2026, nafta do të tregtohet me një çmim maksimal prej 216 lekësh për litër, nga 212 lekë që ishte më parë. Benzina, nga ana tjetër, do të ulet në 172 lekë për litër, nga 179 lekë.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi sot, në orën 14:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit.
Çmimi maksimal i shitjes me shumicë është përcaktuar në 204 lekë për litër për naftën dhe 160 lekë për litër për benzinën.
Bordi u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për zbatimin e vendimit, duke paralajmëruar pezullimin e aktivitetit në rast të shkeljeve të konstatuara.



